Pas arrestimit të Maduros, po shfaqen çarje në radhët e republikanëve – disa prej tyre, të cilët më parë e bllokuan rezolutën, tani po shprehin hapur dyshime dhe po shqyrtojnë mundësinë e votimit kundër veprimeve të mëtejshme ushtarake në Venezuelë pa miratimin e Kongresit, tha senatori Rand Paul, republikan i Kentucky-t dhe sponsor i rezolutës.

Senati i SHBA-së do të shqyrtojë sot një rezolutë që do ta pengonte Presidentin Donald Trump të ndërmerrte veprime të mëtejshme ushtarake kundër Venezuelës pa miratimin e Kongresit dhe mbështetësit thonë se masa mund të miratohet me shumicë të ngushtë, raportoi Reuters .

Disa ditë pasi forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro në një aksion dramatik ushtarak në Karakas, senatorët do të votojnë për rezolutën më të fundit në një seri rezolutash me fuqi lufte të paraqitura pasi administrata rriti presionin ushtarak mbi vendin me sulme ndaj anijeve jashtë bregdetit të tij në shtator.

Republikanët i bllokuan të gjitha këto masa, por votimi përfundimtar ishte 49-51 pasi dy senatorë nga partia e Trump iu bashkuan demokratëve në mbështetjen e rezolutës në nëntor. Në atë kohë, zyrtarët e administratës u thanë ligjvënësve se nuk po planifikonin ndryshim regjimi apo sulme në territorin e Venezuelës.

Pas kapjes së Maduros, disa ligjvënës akuzuan administratën për mashtrim të Kongresit – demokratët publikisht dhe disa republikanë pas dyerve të mbyllura.

“Sot fola me të paktën dy republikanë të cilët më parë nuk votuan për këtë rezolutë dhe tani po e shqyrtojnë mundësinë e votimit. Nuk mund të garantoj se si do të votojnë, por të paktën dy po e shqyrtojnë atë dhe disa prej tyre po flasin publikisht për dyshimet e tyre”, tha senatori Rand Paul, republikan i Kentucky-t dhe mbështetës i rezolutës, në një konferencë për shtyp para votimit.

Paul e bëri deklaratën ndërsa qëndronte pranë senatorit demokrat Tim Kaine të Virxhinias, një tjetër udhëheqës i iniciativës.

Ai nuk i përmendi emrat e republikanëve. Partia e Trumpit mban shumicën 53-47 në Senat.

The post Senati do të vendosë sot nëse do t’i lidhë duart Trumpit për Venezuelën appeared first on Alsat.