Serbia dhe Kina bashkojnë forcat e armatosura, për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, gjatë gjysmës së dytë të korrikut. Siç njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes kombëtare në Pekin, operacioni i quajtur “Paqeruajtësit 2025” do të ndihmojë në fuqizimin e kapaciteteve luftarake të trupave pjesëmarrëse dhe do të thellojë bashkëpunimin mes dy ushtrive.

Pjesë e ushtrimeve të përbashkëta që do të mbahen në rajonin verior të Kinës, Hebei, “do të jenë forcat speciale të Serbisë dhe Kinës”.  Kjo do të jetë hera e parë që Kina i bashkohet një stërvitje ushtarake me një shtet që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e “Partneritetit për Paqe”, një program bashkëpunimi dypalësh midis NATO-s dhe vendeve individuale joanëtare. Serbia është i vetmi vend europian që përdor armatime kineze dhe në 2020 ishte i pari në këtë kontinent që porositi dronë të prodhuar në Kinë, CH 92A dhe CH 95. Përveç kësaj, Beogradi siguroi sistemin e integruar të mbrojtjes ajrore të Kinës, FK-3, në vitin 2022, duke e përfshirë zyrtarisht në janar të këtij viti.

The post Serbia dhe Kina stërvitje të përbashkët ushtarake appeared first on Alsat.