Brenda më pak se 24 orësh, mbrëmë sërish janë regjistruar dronë mbi bazën ushtarake “Kleine-Brogel” në provincën Limbur, në verilindje të Belgjikës.

Sipas kryetarit të komunës Peer, Steven Matheï, në territorin e së cilës ndodhet baza, menjëherë pas zbulimit të dronëve në atë drejtim është nisur një helikopter policor, por nuk ka arritur t’i kapë mjetet ajrore pa pilot.

Mbi “Kleine-Brogel”, si dhe mbi bazën “Leopoldsburg” që ndodhet në të njëjtën zonë, dronë janë vërejtur edhe natën mes së premtes dhe së shtunës.

“Kleine-Brogel” është një bazë ajrore e ushtrisë belge ku ndodhet armë bërthamore amerikane. Nga viti 2027, aty pritet të dislokohen edhe avionët e rinj luftarakë F-35, të porositur së fundmi nga Belgjika në Shtetet e Bashkuara.

Pas incidentit të mbrëmshëm reagoi ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, i cili në një postim në platformën X bëri të ditur se mbi “Kleine-Brogel” janë vërejtur “disa dronë”.

“Ministria e Mbrojtjes do të takohet me policinë lokale javën e ardhshme për të analizuar kërcënimin dhe për të gjetur e arrestuar personat që kanë drejtuar dronët”, theksoi Francken.

Ky është një tjetër rast i vëzhgimit të dronëve mbi kazermat belge, pasi javët e fundit mjete të tilla ajrore janë regjistruar edhe mbi bazat ushtarake “Marche-en-Famenne” dhe “Elzenborn” në lindje të Belgjikës.

Për momentin, nuk ka ende të dhëna se kush qëndron pas këtyre fluturimeve dhe nga ku kanë ardhur dronët.

Ndërkohë, muajt e fundit në disa shtete të Evropës Lindore dhe rajonit baltik janë regjistruar fluturime të dronëve mbi infrastrukturë kritike, për të cilat dyshohet se qëndron Rusia.