Klubi i Shahut “Alkaloid” ka fituar vendin e dytë në Kupën Evropiane të Klubeve, e cila përfundoi mbrëmë në Rodos. Në ndeshjen vendimtare të xhiros së shtatë, “Alkaloid” e mposhti kampionin izraelit “Rishon Le Tsion” me rezultat 4,5:1,5. Kjo ishte fitorja e gjashtë për ekipin kampion të Maqedonisë, në një turne që shpesh krahasohet me Ligën e Kampionëve për shkak të cilësisë së lartë të pjesëmarrësve. “Alkaloid” e fitoi titullin e kampionit të Evropës në vitin 2016, ndërsa vendin e dytë e ka siguruar në 2017, 2024 dhe tash edhe në 2025.

“Ishte një fitore aspak e lehtë në xhiron e fundit kundër një skuadre që mund të quhet elitare. Pas tre orësh lojë, rezultati ishte ende i pasigurt. Në katër tabelat e para nuk kishim shumë mundësi për fitore, por situata ndryshoi pasi në tabelën e pestë Aleksandar Inđić (Elo 2618), me figurat e bardha, arriti ta mposhtë Evgeny Zananin (Elo 2504). Gradualisht, edhe në tabelën e gjashtë Abhimanyu Puranik theu rezistencën e mjeshtrit ndërkombëtar Or Bronstein (Elo 2460), duke e afruar fitoren që na solli medaljen. Ekipi tregoi karakter pas disfatës minimale të një dite më parë ndaj rivalëve për titull, duke dëshmuar shpirt luftarak dhe fitues ndaj një kundërshtari të fortë”, deklaroi Vladimir Bogdanovski, mjeshtër ndërkombëtar dhe kapiten i përbërjes shumëkombëshe të ekipit të “Alkaloid”-it.

Fitues i Kupës Evropiane të Klubeve 2025 u shpall ekipi rumun “SuperChess”, i udhëhequr nga kampioni botëror Gukesh. Edhe pse ishte vetëm bartësi i katërt, ekipi rumun arriti ta fitojë trofeun për herë të parë në histori, si skuadra e vetme e pamposhtur, me vetëm një lojë të humbur – atë të fundit në xhiron e shtatë – dhe me 14 pikë maksimale.

“Alkaloid” u rendit në vendin e dytë me 12 pikë, po aq sa edhe klubi çek “Novi Bor”, i cili pësoi humbje vetëm ndaj kampionit maqedonas, por në fund arriti gjashtë fitore dhe medaljen e bronztë. Vitin e ardhshëm, Kupa Evropiane e Klubeve në Shah do të mbahet në Mali të Zi.