Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë bisedimet tregtare javën e ardhshme pas një ndërprerjeje dy-mujore, në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura mbi një marrëveshje të diskutueshme tarifore të arritur në korrik.
Sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick dhe përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer, do të mbërrijnë në Bruksel të hënën për takime me ministra, komisionarë të BE-së dhe udhëheqës të industrisë, raporton Guardian.
“Duhet të qëndrojmë të përqendruar, ajo që nuk duam është që vendet individuale t’u drejtohen atyre dhe të kërkojnë marrëveshje për këtë, atë dhe të tretën”, tha një burim i informuar.
Në korrik, Brukseli arriti një marrëveshje me presidentin amerikan në Skoci për të shmangur kërcënimin e vendosjes së tarifave 50 për qind. Në vend të kësaj, u ra dakord për një tarifë bazë 15 për qind, por Uashingtoni tash e ka bërë të qartë se zbatimi i ngadaltë i marrëveshjes, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme, duhet të miratohet nga parlamenti, një proces që mund të zgjasë deri në shkurt.
Ndër çështje kryesore që do të diskutohen janë tarifat e mbetura prej 50 për qind për çelikun dhe aluminin, tarifat e ndara për produktet me përbërës çeliku dhe taksat për ushqimin dhe pijet. Disa shtete anëtare, përfshirë Francën e goditur nga tarifat e konjakut, Irlandën nga uiski dhe të gjitha vendet prodhuese të verës, duan që taksa prej 15 për qind mbi verën dhe pijet alkoolike të hiqet.
