Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka liruar të shtunën 123 të burgosur, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, dhe figurën kryesore të opozitës, Maria Kalesnikava, pas bisedimeve dyditore me një të dërguar të presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi Uashingtoni.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara u pajtuan t’i heqin sanksionet ndaj potasit bjellorus. Potasi është një përbërës kyç në plehra dhe ish-shteti sovjetik është një nga prodhuesit kryesorë të tij në botë.

Ky është numri më i madh i të burgosurve të liruar deri tani nga Lukashenko qëkurse administrata e Trump nisi bisedime këtë vit me udhëheqësin veteran autoritar, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Bialiatski, bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe më 2022, është aktivist për të drejtat e njeriut që për vite me radhë luftoi në mbrojtje të të burgosurve politikë, para se të bëhej vetë një i tillë. Ai u mbajt në burg nga korriku i vitit 2021.

Gjithashtu u liruan Kalesnikava, një udhëheqëse e protestave masive kundër Lukashenkos në vitin 2020, dhe Viktar Babaryka, i cili u arrestua atë vit derisa po përgatitej të garonte kundër presidentit në zgjedhje.

Zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se angazhimi me Lukashenkon është pjesë e një përpjekjeje për ta shkëputur atë, të paktën deri diku, nga ndikimi i Putinit.

I dërguari i Trump, John Coale, u kishte thënë më herët gazetarëve në Minsk: “Sipas udhëzimeve të presidentit Trump, ne, Shtetet e Bashkuara, do të heqim sanksionet ndaj potasit”.

The post SHBA hoqi sanksionet/ Bjellorusia liron qindra të burgosur politikë appeared first on Alsat.