Zyrtarët amerikanë akuzuan publikisht Rusinë se ka kërcënuar një satelit komercial, që operohet nga Finlanda dhe i cili ofron imazhe dhe informacione të inteligjencës për Ukrainën dhe vende të tjera, duke e cilësuar këtë veprim si “qëllimisht të pamatur”.
Në përgjigje të akuzave, të bëra gjatë një debati në Kombet e Bashkuara më 21 tetor, Rusia i cilësoi në përgjithësi pretendimet amerikane si “absurde” dhe e akuzoi Uashingtonin për “ambiciet e veta agresive ushtarake në hapësirë”.
Shkëmbimi i akuzave ndodhi disa ditë pasi një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, iu afrua “në mënyrë të rrezikshme” satelitit ICEYE-X36, i cili është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe operohet nga kompania finlandeze ICEYE.
Sateliti rus u afrua “jashtëzakonisht shumë” – sipas disa vlerësimeve deri në 200 metra – një distancë që zyrtarët e hapësirës dhe dhe vëzhguesit amatorë të satelitëve e cilësuan si tejet të pazakontë.
“Ky nuk ishte një afrim rutinë apo një ‘kalim pranë’”, tha për Radion Evropa e Lirë LeoLabs, një kompani e inteligjencës hapësinore. “Sjellja përkon me operacione të sofistikuara të takimit dhe afrimit në hapësirë”.
ICEYE-X36 është i pajisur me teknologji radari që mundëson mbledhjen e imazheve të detajuara të sipërfaqes së Tokës, edhe nëse ka re. Në janar, kompania finlandeze nënshkroi një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës për ofrimin e informacioneve të inteligjencës.
Sateliti Kosmos-2612 “shfaqi sjellje kërcënuese duke manovruar qëllimshëm në mënyrë të rrezikshme pranë një sateliti komercial”, tha Brian Hardesty, këshilltar i delegacionit amerikan në Konferencën për Çarmatimin, gjatë një takimi në Nju Jork të Komitetit të Parë të OKB-së, organ ku diskutohen çështjet e kontrollit të armëve dhe çarmatimit.
“Ky veprim duket se përkojnë me një operacion të përdorimit të armëve në orbitë”.
“Vendimi për t’i ndërmarrë këto veprime ishte qëllimisht i pamatur”, tha ai.
Përfaqësuesi i Rusisë, identiteti i të cilit nuk mund të përcaktohej menjëherë, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt këtij pretendimi.
“I bëjmë thirrje shteteve anëtare që të kenë përgjigjen e duhur ndaj ambicieve agresive ushtarake të Shteteve të Bashkuara në hapësirë”, tha ai.
Ai iu referua po ashtu komenteve të bëra muajin e kaluar nga sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, zyrtari më i lartë civil i kësaj dege ushtarake.
Komentet e Troy Meink, të bëra gjatë një konference në periferi të Uashingtonit, se SHBA-ja veçse ka vendosur armë në hapësirë – “armë të kontrollit të hapësirës në orbitë, të afta për të mbrojtur Forcat e Përbashkëta nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve” – shkaktuan habi në mesin e ekspertëve të politikave.
Megjithatë, vëzhgues të tjerë që e ndjekin që një kohë të gjatë veprimtarinë në hapësirë thanë se njoftimi thjesht bëri publike atë që kishte qenë e qartë prej kohësh.
“Shtetet e Bashkuara nuk e armatosën papritur hapësirën duke pranuar se i zotërojnë këto kapacitete”, shkroi Mallory Stewart, ish-zyrtare e lartë për kontrollin e armëve në Departamentin amerikan të Shtetit. “Gara e armatimit në hapësirë është zhvilluar prej vitesh”.
