Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të njoftojnë të mërkurën planet për vendosjen e tarifave të reja ndaj disa vendeve, raporton BBC.
Masat e reja doganore pritet të prekin disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Në mesin e të paktën 14 vendeve dhe juridiksioneve që do të përfshihen në këtë vendim janë Kina, Bashkimi Evropian dhe Japonia.
Ky hap vjen pas një hetimi të nisur nga Shtëpia e Bardhë në kuadër të të ashtuquajturit “Seksioni 301”, në mars të këtij viti. Hetimi u iniciua pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila i shpalli të paligjshme tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump në kuadër të politikës së njohur si “Dita e Çlirimit”.
Trumpi i ka kthyer tarifat tregtare në një prej shtyllave kryesore të politikës së tij ekonomike, duke argumentuar se ato do të nxisin prodhimin vendor amerikan dhe do të krijojnë vende të reja pune.
Në prill të vitit 2025, pak kohë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, pasi shpalli tarifa të gjera ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së.
Edhe pse këto tarifa u hoqën më vonë, përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, kishte argumentuar se mbiprodhimi në vendet e huaja po dëmtonte industrinë amerikane dhe po pengonte investimet në prodhimin vendor.
Sipas skemës së re, vendet e prekura pritet të përballen me norma të ndryshme të tarifave të importit, në varësi të marrëveshjeve që kanë arritur më herët me presidentin Trump.
Vendimi i ri pritet të shtojë më tej tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat vazhdojnë të jenë të përfshira në një mosmarrëveshje ekonomike.
Megjithëse javën e kaluar Trumpi u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, palët ende nuk kanë arritur ta zgjidhin plotësisht konfliktin tregtar. Marrëveshja e përkohshme mes dy vendeve pritet të skadojë më 10 janar.
Ndërkohë, në prag të samitit të Shenzhen-it, SHBA-ja ka akuzuar Kinën se nuk i ka përmbushur plotësisht kushtet e marrëveshjes së arritur në Korenë e Jugut, në tetor të vitit 2025.
Sipas Washingtonit, Pekini nuk po i zbaton plotësisht zotimet e marra, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me blerjet e produkteve bujqësore, mineralet e rralla dhe lëndët e tjera të para kritike.
