Ministria e Transformimit Dixhital njofton se Dialogu Strategjik mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara në Uashington ka përfunduar me rezultate konkrete në sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën dixhitale.
“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të kryhen vlerësime gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike të infrastrukturës kritike dhe rrjeteve të tjera të rëndësishme, me qëllim: identifikimin e dobësive, rekomandimin e masave specifike për eliminimin e tyre dhe mbështetjen e vendimmarrjes për prokurimin e zgjidhjeve moderne dhe të besueshme të sigurisë kibernetike”, tha Ministria e Transformimit Dixhital.
Përveç kësaj SHBA do të ofrojë mbështetje teknike përmes programit FALCON, duke përfshirë vlerësime të sigurisë së rrjeteve kritike, identifikimin e dobësive dhe rekomandime për përmirësim, si dhe mbështetje prej 5 milion dollarësh, njoftuan nga ministria.
“Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan mbështetje në shumën prej 5 milionë dollarësh përmes programit të ndihmës së huaj, të destinuar për zhvillimin e aftësive kibernetike dhe përmirësimin e mbrojtjes së infrastrukturës mbrojtëse duke ofruar pajisje dhe trajnime”, deklaroi Ministria e Transformimit Dixhital.
Ndryshe vitin e kaluar Maqedonia miratoi një Ligj të ri për Sigurinë e Sistemeve të Rrjetit dhe Informacionit, plotësisht në përputhje me Direktivën më të fundit Evropiane NIS2. Ligji prezanton detyrime të rrepta për kompanitë dhe institucionet në 16 sektorë kyç, të cilat tani do të duhet të zbatojnë masa të detyrueshme sigurie dhe të raportojnë sulme serioze kibernetike brenda vetëm tre orësh nga njoftimi për to, ose do të përballen me gjoba.
