Vizita e drejtorit të CIA-s, William Burns në Kosovë, paraqet një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të dy zyrtarëve.

Në takim u theksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, në krye me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, për përmirësimin e bashkëpunimit me CIA-n, transmeton Anadolia.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë vizitën historike të drejtorit të CIA-s, William Burns në Kosovë. Është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme mes dy vendeve dhe është një mundësi e artë për thellimin e bashkëpunimit strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në deklaratë.

Kurti falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu angazhimin e tij për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, duke njoftuar se vlerat amerikane, të cilat kanë të bëjnë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe rendit, dhe orientimin e palëkundur euroatlantik, mbeten shtyllë qendrore e qeverisjes së mirë dhe demokratike në Kosovë.

“Garancia e sigurisë, paqes dhe suksesit”

Kryeministri i Kosovës e njoftoi Burns për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, si dhe për progresin social dhe demokratik të Kosovës, duke theksuar se “të gjitha sfidat e sigurisë së brendshme menaxhohen me sukses me fuqinë e ligjeve të shtetit demokratik të Kosovës”.

Kurti ka thënë se në tri vitet e fundit produkti i brendshëm i bruto i Kosovës është rritur për 33 për qind, ndërsa buxheti i shtetit për 35 për qind, ku 11.1 për qind e buxhetit vjetor dedikohet për Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Burns u takua dhe me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtues të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është garanci e sigurisë, paqes dhe suksesit”, tha Osmani.

Të gjitha takimet janë mbajtur pa paralajmërim dhe pa praninë e mediave. Burns mbërriti në Kosovë pas vizitës në Sarajevë dhe Beograd.