Dy persona kanë vdekur pas shembjes së pjesshme të një ndërtese shtatëkatëshe në Stamboll, thanë zyrtarët. Ekipet e emergjencës po vazhdojnë përpjekjet për të arritur të paktën dy persona që vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja.
Arsyeja e shembjes nuk dihet ende dhe hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar shkakun e këtij incidenti. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet pavarësisht paralajmërimeve për një shembje të mëtejshme të ndërtesës, ka raportuar AP.
Tre katet e poshtme të ndërtesës, përfshirë një dyqan në katin përdhes, u shembën para agimit në lagjen Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, një qytet që ndahet në dy pjesë nga Ngushtica e Bosforit.
Banorët nga katet e sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa ekipet e kërkimit shpëtuan tetë persona të tjerë nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit nxorën dy trupa dhe po përpiqeshin të arrinin te dy persona që besohet se janë ende brenda, sipas zyrës së guvernatorit të Stambollit.
Më herët, guvernatori i Stambolli, Davut Gul, tha se ekipet e shpëtimit kishin kontaktuar me një 6-vjeçar të bllokuar në rrënoja. Nuk është bërë e ditur nëse fëmija është në mesin e atyre që shpëtuan.
Ai paralajmëroi se ndërtesa ishte në rrezik shembjeje të mëtejshme, dhe se kjo po pengon përpjekjet e shpëtimit. Ndërtesat aty pranë u evakuuan gjithashtu për siguri, tha guvernatori.
Stambolli dhe pjesë të tjera të Turqisë po kalojnë një program transformimi urban që synon të zëvendësojë ndërtesat e vjetra dhe të rrezikshme nga tërmetet me banesa më të sigurta.
