Një aksident ndodhi në Selanik, kur një pjesë e tavanit të një objekti gastronomik, brenda një qendre tregtare, u shemb në kohën kur në afërsi po lëvizte një numër i madh vizitorësh, përcjell TV21. Ngjarja ndodhi të shtunën pasdite, në qendrën Mediterranean Cosmos, ku ka shumë vizitorë edhe nga Maqedonia e Veriut.

Sipas informacioneve të para, në momentin e shembjes pranë kishte disa qytetarë, por u shmang tragjedia më e madhe.

Në incident u lëndua një grua 45-vjeçare, e cila pësoi dëmtime në kokë dhe qafë. Ajo ishte në gjendje të vetëdijshme kur ekipet e ndihmës së shpejtë ndërhynë në vendin e ngjarjes, dhe më pas u transportua me automjet të ambulancës në spitalin “Papanikolaou” në Selanik.

Deri tani, nuk ka informacione zyrtare për shkaqet e shembjes, ndërsa autoritetet po kryejnë inspektim për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një mangësi ndërtimore apo ndonjë problem tjetër teknik.