
Sot, në vend festohet 23 tetori Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase. Në këtë ditë në vitin 1893, në Selanik u themelua Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase- (VMORO), me qëllim arritjen e autonomisë për Maqedoninë përmes luftës revolucionare.
Kulmi i aktiviteteve të VMORO-së është organizimi i Kryengritjes së Ilindenit në vitin 1903 në Maqedoni.
Themelet e Organizatës u hodhën më 5 nëntor 1893 (23 tetor – sipas kalendarit të vjetër) në shtëpinë e shitësit të librave Ivan Haxhi Nikolov në Selanik. Në mbledhjen themeluese morën pjesë: Dr. Hristo Tatarçev – mjek, i lindur në Resnjë, Dame Gruev – mësues, i lindur në fshatin Smilevo – rrethi i Manastirit, Petar Pop Arsov – mësues, i lindur në fshatin Bogomillë – rrethi i Velesit, Ivan Haxhi Nikolov – shitës librash në Selanik, i lindur në Kukush, Anton Dimitrov – mësues, i lindur në fshatin Ajvatovo – rrethi i Selanikut dhe Hristo Batandzhiev – mësues, i lindur në fshatin Gumendza, Enidze, rrethi i Vardarit.