Gazetar: Zekirija Haxhiu

Virusi i Etheve të Nilit vazhdon të merr jetë. Është shënuar viktima e gjashtë në Klinikën Infektive. Bëhet fjalë për një 72 vjeçar nga lagja Aerodrom e Shkupit, i cili në spital ishte i shtruar për 15 ditë në gjendje të rëndë shëndetësore. Për momentin në Infektive po trajtohen 18 pacientë ndërsa pacienti më i ri është një 26 vjeçar.

“Momentalisht në Klinikë janë 18 pacientë prej të cilëve 15 janë me infeksion neuroinvaziv të konfirmuar nga laboratoria. Dje në orët e pasdites ndërroi jetë edhe një pacient i moshës 72 vjeçare i hospitalizuar para 15 ditëve. Në repartin për kujdes intenziv me fotografi të rëndë klinike janë pesë pacientë”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka konfirmuar prezencën e virusit tek një korb i ngordhur në komunën e Resnjes. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, bëri apel deri te qytetarët që të mos paraqesin në Agjenci çdo shpend që shohin të ngordhur rrugës, pasi jo çdo shpend transmeton virusin. Kërkon që qytetarët të fokusohen vetëm tek korbet e ngordhur.

“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari mëngjesin e sotëm ka konfirmuar një korb të ngordhur me prezencë të etheve të Nilit Perëndimor në Resnje, në zonën përskaj parkut afër komunës. Shumë shpend preken me virusin por korbi është shpend që mund të ngordhë nga virusi. Edhe dy shpend të tjerë në Shkup për momentin po testohen”, sqaroi ministri i shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftuan se kanë pranuar mbi 100 denoncime për shpend të ngordhur por jo për korbë. Njoftojnë se periudhën që vjen do të marrin mostra të gjakut për analiza laboratorike për praninë e virusit edhe tek shpendët e tjerë sikurse tek pulat, fazanët, thëllëzat, strucët, patat, lejlekët, skifterët, pulëbardhat e të tjera. Gjithashtu kërkojnë nga qytetarët të cilët ruajnë shpendë në ambiente shtëpiake, të shtojnë masat e biosigurisë. Si zona më të prekura janë regjistruar Draçeva me 10 të infektuar, Gazi-Baba me 5, Aerodromi me 4 ndërsa Ilindeni e Studeniçani me nga 3 të infektuar. /Alsat.mk

The post Shënohet viktima e 6 në Infektive, virusi Ethet e Nilit Perëndimor edhe në Resnje appeared first on Alsat.