Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e deklarimit të përkatësisë etnike gjatë punësimeve është diskriminues, sepse askush nuk mund t’ia mohojë dikujt të drejtën të shprehë përkatësinë etnike, u shpreh analisti Sefer Selimi në debatin e sotëm në DailyClick. Madje sipas tij, vendimi i Kushtetueses shkon përtej punësimeve, sepse siç u shpreh, shqiptarët edhe kur kanë qenë 0.2% në institucionet publike, kanë mbijetuar në këtë shtet.

“Megjithatë, shqiptarëve nuk mundesh të ua ndalosh të paraqiten si shqiptarë përpara institucioneve, sepse në fund të ditës gjithçka që u bë në mënyrë diskriminatore sistemike dhe sistemore u bë për shkak të etnisë. Dhe ne erdhëm në një konflikt të vitit 2001, i cili garanton të drejtat kolektive, që unë si shqiptar nuk ndjehem inferior ndaj një kolegu maqedonas, turk, ndaj një kolegu rom, dalim konkurrojmë bashkë. Por nëse unë nisem nga premisa që dikush mua do të më paragjykojnë dhe do të më ndalojnë prej në fillim për shkak se unë jam shqiptar, atëherë unë duhet të vendos mekanizma mbrojtës. Unë nuk them që jam më i miri për punën që bëj, por nuk mund të më thotë askush që jam më i keq se sa dikush vetëm pse ai është maqedonas dhe unë jam shqiptar”, tha Sefer Selimi – analist.

Duke u ndërlidhur në këtë temë, bashkëbiseduesi i tij në debat, analisti Besim Nebiu, theksoi se besueshmërinë e qytetarëve në gjykatat e vendit, që është vetëm 2%. Tutje, Nebiu komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Mickoski i cili pati thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen, por Nebiu tha se vendimet e Gjykatës nuk komentohen në ato shtete ku populli beson në Gjykata.

“Gjykata në Maqedoni ka besueshmëri vetëm 2%. Në kushte të këtilla është shumë e natyrshme që të komentohet dhe të vendoset në rrafsh politik, edhe pse ato gjykatës janë zgjedhur në Parlament nga deputetët. Një pjesë e mirë e tyre ka edhe bagazh politik, edhe të gjykatësve të sotëm edhe të djeshëm, disa sot janë deputet, disa që kanë qenë politikan sot janë gjykatës kushtetues. E shoh kryeministrin thotë nuk komentohen. Komentohen. Nuk komentohen aty në ato shtete ku popullin beson në Gjykatat, dhe Gjykatat nuk janë krijuar në interesa parcial politik. Aty ku është kështu, gjendje katastrofale, jo vetëm që duhet ti kritikojmë, sepse nëse nuk i kritikojmë nuk e zbërthejmë thelbin e problemit”, u shpreh Besim Nebiu – analist.

Në debat u prekën edhe çështje të tjera që lidhen me qeverisjen aktuale, për të cilën Selimi tha se partneri qeverisës VLEN në këtë ekzekutiv është i parëndësishëm, i pafuqishëm dhe i pakompetencë për të vendosur për politikat e mëdha të shtetit. Nga ana tjetër, Nebiu u shpreh se 130 ditë qeverisje nuk është kohë e mjaftueshme për të analizuar rezultate, por shtoi se ka tendencë dhe paralajmërim për projekte në të mirë që qytetarëve.