Ish-kryetari i Shkupit dhe ish-nënkryetari i LSDM-së, Petre Shilegov, kërkoi publikisht dorëheqjen e liderit aktual të partisë, Venko Filipçe. Duke folur në Telma, ai deklaroi se nuk do të marrë pjesë në kongresin e ardhshëm të LSDM-së, pasi nuk është as delegat, por theksoi se nëse kongresi rezulton i suksesshëm, kjo do të jetë vetëm një konfirmim i politikave të gabuara që i ndjek udhëheqja aktuale. Monopolizimi në marrjen e vendimeve është arsyeja e polarizimit të LSDM-së, mes deputetëve aktualë, si dhe funksionarëve të lartë aktualë dhe të mëparshëm brenda partisë, vlerëson Petre Shilegov.
“Ju nuk e keni legjitimitetin.
Kur?
Në të njëjtin moment kur ju mbyllen komitetet komunale, kur kundër jush dalin deputetë aktualë, kur kundër jush dalin pjesë të udhëheqjeve komunale, njerëz që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e LSDM-së, atëherë me siguri do ta dini se duhet të tërhiqeni”, deklaroi Petre Shilegov – ish-funksionar i LSDM-së.
Për kritikat në adresë të tij nga ish-funksionarë të lartë të partisë, Filipçe thotë se ato janë të njëjta me ato të VMRO-DPMNE-së.
“Mesazhet e tyre në paraqitjet publike, në statuset, do të shihni se janë mesazhe të partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Kritikat reduktohen në këtë. Në sfondin e gjithë kësaj, anëtarët e vërtetë, përkrahësit e sinqertë reagojnë shumë keq ndaj këtyre kritikave, sepse nuk janë të bazuara dhe nuk janë reale, sepse bëhet fjalë për njerëz që janë të shantazhuar ose që janë të blerë dhe kjo është thelbi”, theksoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Në rrjetet sociale reagoi edhe Jovan Despotovski, ish-kandidat për pozitën kryetar i partisë, i cili më herët ishte përmendur në reagimin me shkrim të LSDM-së.
“I vetmi përgjegjës për pakënaqësinë mes anëtarëve të LSDM-së është udhëheqja aktuale e partisë. As nuk mendoj, e as nuk ndiej përgjegjësi personale për faktin që ish-, por edhe funksionarë aktualë të partisë tashmë publikisht komentojnë për gjendjen në LSDM dhe për politikat dhe vendimet e kreut aktual partiak”, u shpreh Jovan Despotovski.
Këto reagime vijnë pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, ku LSDM fitoi vetëm gjashtë kryetarë të komunave dhe, sipas këtyre rezultateve, u bë partia e tretë në Maqedoni, pas VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Në Këshillin e Qytetit të Shkupit, LSDM fitoi vetëm pesë vende të këshilltarëve, çka e bën atë partinë e pestë.
