Pothuajse një javë pas rrëshqitjes së dheut në Shipkovicë, 17 banorë të katër shtëpive vazhdojnë të qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre, nga frika se dheu mund të shembet sërish. Mumin Velia thotë se aktualisht po qëndron te vëllai, ndërsa ditën përpiqet të qëndrojë në shtëpinë e tij që është në rrezik, sepse, siç thekson ai, as te vëllai nuk ka kushte për të jetuar.
“Ata që na nxorën nga shtëpia ishin dje dhe na thanë se kanë mbajtur mbledhje, dhe se të enjten do të vijë edhe vetë kryetari i komunës, ashtu na tha udhëheqësja e Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Kryqi i Kuq. Deri tani jo, por të enjten thanë se do të vendosin. Ne kemi qenë te vëllai im, ngushtë aty. Nuk jam kthyer, vijmë, pastrojmë dhe natën rri atje, dhe do të kthehemi nëse nuk ka ndonjë rrugëdalje tjetër. Këtu duhet të ndërtohet muri mbrojtës sa më shpejt, sepse jemi shumë në rrezik, si ne ashtu edhe ata, pasi edhe shtëpitë e tyre rrezikojnë të rrëshqasin poshtë”, theksoi Mumin Velia – banor.
Nga komuna e Tetovës thonë se shtabi krizës ka mbajtur mbledhje dhe është konstatuar se aty është rrezik për banorët, dhe me urdhër të SPB-së banorët janë evakuuar.
“Shtabi Komunal i Krizës ka mbajtur një mbledhje, ku janë shqyrtuar dy pika të rendit të ditës dhe është konstatuar se gjendja është serioze dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme. Është njoftuar edhe qeveria, ndërsa në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra për Menaxhim me Kriza, komuna dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Gjithashtu, është kërkuar që ekipet profesionale të dalin në terren dhe të vlerësojnë situatën. Nga ana e SPB-së është kërkuar të evakuohen banorët dhe të kufizohet qasja në pjesën ku ka pasur rrëshqitje dheu”, pohoi Albion Alili- zëdhënës i Komunës Tetovës.
Në terren ekipi i TV21 nuk pas pa asnjë shirit, apo shenjë ku nuk lejohet kalimi apo paralajmërim se ka rrezik.
