Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Byrosë për Siguri Publike, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, mori pjesë në një operacion të koordinuar ndërkombëtar, i cili kishte për qëllim shkatërrimin e një rrjeti kriminal transnacional të përfshirë në mashtrime të organizuara me investime përmes internetit, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Operacioni, siç bëhet e ditur nga MPB-ja, u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe gjyqësor, me mbështetjen dhe koordinimin e Europolit dhe Eurojust-it, ndërsa në të morën pjesë organet kompetente nga Gjermania, Qiproja, Finlanda, Shqipëria, Izraeli, Kosova dhe Maqedonia.

“Si rezultat i aktiviteteve të koordinuara, në vende të ndryshme janë arrestuar shtatë persona të dyshuar, janë kryer bastisje në 17 lokacione dhe janë sekuestruar më shumë se 100 serverë, si dhe prova dhe pajisje të tjera elektronike që lidhen me aktivitetet kriminale. Sipas të dhënave të deritanishme, dëmi financiar i konstatuar tejkalon katër milionë euro, ndërsa viktima të mundshme janë identifikuar në të paktën 50 shtete. Pjesëmarrja në këtë operacion ndërkombëtar përbën edhe një konfirmim të kontributit aktiv të Ministrisë së Punëve të Brendshme në përpjekjet e përbashkëta për zbulimin dhe shtypjen e krimit të organizuar, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor”, thuhet në njoftimin e MPB-së.