Gazetar: Avni Tahiri
Me automjete ushtarake në lëvizje, helikopter, gjuajtje reale dhe manovra taktike në terren, rreth 1.500 ushtarë marrin pjesë në një nga ushtrimet më të mëdha fushore të këtij viti.
Këto janë disa nga ushtrimet të ditës së fundit të stërvitjes ushtarake “Shkëndija 26” në poligonin ushtarak të Krivollakut ku u përfshinë pjesëtarë të Brigadës së Parë të Këmbësorisë, Forcave Ajrore, Policisë Ushtarake, si dhe njësive të logjistikës dhe komunikimit.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila ndoqi nga afër ushtrimet e Armatës, tha se Armata e Maqedonisë së Veriut është e gatshme, profesionale dhe e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, duke qenë garantues i sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
“Ju, pjesëtarët e Armatës jeni dëshmi kryesore e dukshme dhe e pakontestueshme se shteti maqedonas dhe Armata janë partner i besuar dhe i respektuar në Aleancë. Besueshmërinë më të madhe të cilën e gëzoni te qytetarët, është rezultat i ndihmës së ofruar shumë herë në raste të katastrofave natyrore dhe epidemi. Armata jonë është faktor i stabilitetit dhe ruajtës i paqes globale”, deklaroi Gordana Silajnovska Davkova, Presidente.
Ajo theksoi se ushtrime të tilla janë dëshmi e kapaciteteve reale të forcave të armatosura dhe e aftësisë së tyre për reagim në situata të ndryshme.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski tha se armata e Maqedonisë së Veriut është në nivel të njëjtë me armatat e shteteve tjera të NATO-s.
“Armata maqedonase bën hap historik përpara në pikëpamje të kapaciteteve të saja. Operojmë me pajisje të re të sofistikuar, ashtu sikur çdo NATO-armatë tjetër. Pjesëtarët tanë janë në nivel të njëjtë me të Aleancës”, theksoi Vllado Misajllovski, Ministër i Mbrojtjes.
Qëllimi kryesor i manovrave ushtarake në terren është testimi i gatishmërisë operative, reagimi në situata të simuluara luftarake dhe forcimi i koordinimit ndërmjet njësive në terren./Alsat.mk.
The post “Shkëndija 2026” / Manovra ushtarake në Krivollak appeared first on Alsat.
