Kampionin aktual, Shkëndijën, e pret vizita në Strumicë kundër ekipit të AP Brera. Një tjetër sfidë e vështirë për ekipin nga Tetova, por kjo ndeshje do të jetë një mundësi e mirë për ekipin që të rikuperohet nga humbja në derbin me Vardarin, e cila ishte e para këtë sezon për ekipin e Jeton Beqirit.
Të gjithë në kampin e ekipit të Tetovës tani presin një reagim të vërtetë – një fitore në Strumicë. Një nga lojtarët e Shkendijës, Fabris Tamba, thotë se mësimi është nxjerrë dhe se gjëja më e mirë për ekipin do të jetë që tani të marrë një fitore.
“Atmosfera është e mirë dhe është për të ardhur keq që humbëm derbin. Ky është futbolli, ndonjëherë je i lumtur, ndonjëherë je i trishtuar, por duhet t’i harrojmë të gjitha këto dhe të përqendrohemi në ndeshjen tjetër. Do të shkojmë me 100% për ta fituar atë ndeshje. Ndonjëherë edhe kur humbet, mund të mësosh shumë. Edhe kur fiton, gabimet mund të ndodhin dhe duhet të mësosh nga ato gabime për të performuar më mirë në ndeshjen tjetër. Por nuk duam të mbetemi në të kaluarën. Sigurisht, gabimet duhet të jenë një mësim për ne. Shpresoj që do të tregojmë një fytyrë tjetër në ndeshjen tjetër. Të gjithë e dinë cilësinë tonë dhe çfarë jemi të aftë të bëjmë. Ne vazhdojmë të punojmë edhe më shumë. Gjithmonë pritet të fitojmë, por nuk është e lehtë. Ky është futbolli dhe gjërat shpesh nuk shkojnë sipas pritjeve dhe dëshirave tuaja. Por mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Tani për tani, na duhet vetëm një fitore kundër Brerës”, tha Tamba.
The post Shkëndija kërkon fitore në Strumicë dhe rehabilitim nga disfata në derbi appeared first on Alsat.

 
                    