Futbollistët e Shkëndijës së Tetovës rikthehen me fitore nga udhëtimi në Shtip, pasi sonte, në kuadër të xhiros së 12-të në Ligën e Parë të Maqedonisë, triumfuan ndaj Bregallnicës vendase me rezultat 2-1, përcjell TV21. Lideri i tabelës kaloi në epërsi që në minutën e 3-të me golin e Ndzengues, por vendasit arritën të barazonin rezultatin në minutën e 39-të përmes Stojkovskit.

Rezultati i barabartë qëndroi deri në minutën e 74-t, kur Gjorgievski, i cili u inkuadrua nga banka rezervë, i siguroi fitoren Shkëndijës me golin e tij të parë në sezonin e ri.

Bregallnica pati një mundësi të artë në minutat shtesë për të barazuar sërish rezultatin dhe për të shmangur humbjen, por Nikolov nuk arriti të realizonte penalltinë në minutën e 94-t.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot në kuadër të xhiros së 12-të, Shkëndija e Haraçinës dhe Tikveshi luajtën baras, 1-1.

Nesër zhvillohen tri ndeshjet e mbetura: Shkupi – Sileksi, Bashkimi – Arsimi dhe Vardari – Struga.

Tabela e klasifikimit:

  1. Shkëndija – 27 pikë
  2. Struga – 23 pikë (-1 ndeshje)
  3. Tikveshi – 21 pikë
  4. Vardari – 21 pikë (-1 ndeshje)
  5. Sileksi – 16 pikë (-1 ndeshje)
  6. Shkëndija e Haraçinës – 15 pikë
  7. Bregallnica – 13 pikë
  8. Arsimi – 10 pikë (-1 ndeshje)
  9. Bashkimi – 7 pikë (-1 ndeshje)
  10. Shkupi – 3 pikë (-1 ndeshje)