“Kështu duket Shkupi nga Vodno e Mesme tërësisht i mbuluar me mjegulla, qytet i cili sot zë vendin e 7 në botë për nga ndotja. Në këtë gjendje fëmijëve dhe të moshuarve u rekomandohet që të evitojnë daljet jashtë”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.
Qytetarët ankohen dhe kërkojnë që shteti të merr masa sa më shpejt.
“Djemtë e mi janë në mërgim dhe për vit të ri kanë dashur të vijnë, nuk mundeshin nga ky ajër sepse duhej të qëndronim brenda. Patjetër duhet të merret diçka, shteti mundet, ka ekspertë duhet ta dinë. Ne dhe burri e përdorim pastruesin, megjithatë asgjë nga ajo. Asnjë dritare nuk mund ta hapësh të hyjë ajër”, tha një qytetare.
“Patjetër duhet të dalim pothuajse çdo ditë në Vodno që së paku 2-3 orë t’i kalojmë në ajër të pastër.
Duhet të ulen ta diskutojnë një ekip-ekspertë ka edhe kimistë edhe fizikan edhe inxhinierë që mund ta gjejnë ndonjë projekt të shikojnë ndonjë përvojë që është jashtë vendit, si zgjidhet”, tha një qytetar tjetër.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se mënyra e vetme për uljen e emetimit të grimcave të dëmshme është ndryshimi i sistemit të ngrohjes së shtëpive nga nëntori në mars. Që kjo të ndodhë, sipas kryeministrit, është i nevojshëm ndërtimi i termocentraleve me gaz.
“Unë kam folur shumë herë në të kaluarën për ndotjen e ajrit në të gjithë territorin e Maqedonisë. Si inxhinier mund të jap një përgjigje, e vetmja mënyrë se si mund të zvogëlojmë emetimin e grimcave të dëmshme është, në periudhën nga nëntori në mars, të ndryshojmë sistemin e ngrohjes së shtëpisë, pra më pak lëndë djegëse fosile, më shumë lëndë djegëse ekologjike, duke e përfshirë ngrohjen qendrore”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndryshe, sipas të dhënave të platformës “IQ Air”, e cila monitoron cilësinë e ajrit në nivel global, Shkupi aktualisht është në vendin e shtatë, me indeks të ndotjes 172, që e klasifikon ajrin si “të pashëndetshëm”.
Ndotja në Shkup i atribuohet më së shumti kombinimit të përdorimit të karburanteve për ngrohje me cilësi të ulët, emetimeve industriale dhe rrjetit të dendur të trafikut.