Maqedonia e Veriut duket se është vërtet e interesuar për të zgjidhur kontestin me Bullgarinë,
pasi Shkupi ka kërkuar përfshirjen e Brukselit në negociatat ndërmjet dy vendeve. Maqedonia e
Veriut është shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që ka marrë statusin e vendit kandidat për
anëtarësim në Bashkimin Evropian, që në vitin 2005, por kontestet e vazhdueshme, ku një pjesë
e tyre kanë ardhur edhe si pasojë e gabimeve tona politike, kanë bërë që vendi të mbetet shumë
prapa në procesin e integrimit evropian. Më në fund, duket se Shkupi zyrtar është bindur se është
e domosdoshme të ketë negociata dhe dakordësi me Sofjen për të zhbllokuar rrugën integruese të
vendit, shkruan FaktiDitor.info
Kontesti me Bullgarinë
Pas Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, e cila zhbllokoi rrugën integruese euroatlantike të
Maqedonisë së Veriut dhe mundësoi anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut
(NATO), besohej se vendi nuk do të përballej më me pengesa apo konteste të tjera në procesin e
integrimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, në momentin kur besohej se Maqedonia e Veriut do të fillonte negociatat me BE-në,
Franca vendosi veto, duke penguar procesin e zgjerimit të Unionit. Kjo veto nuk lidhej me një
kontest të drejtpërdrejtë ndërmjet Parisit dhe Shkupit, por Maqedonia e Veriut u gjend në një
situatë ku u sakrifikua si pasojë e përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve politike brenda vetë
Bashkimit Evropian.
Në vitin 2019, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u përballën me një proces të zgjatur të
vendimmarrjes evropiane lidhur me hapjen e negociatave. Ndërkohë, pas tejkalimit të pengesave
të mëparshme, Bullgaria u shndërrua në pengesën kryesore për avancimin e mëtejshëm të
procesit të Maqedonisë së Veriut. Kërkesa e Sofjes është që Maqedonia e Veriut të përfshijë
bullgarët në Kushtetutën e vendit, ndërsa Shkupi kërkon garanci se nuk do të përballet me
konteste të tjera bilaterale që do të mund ta bllokonin rrugën e saj integruese drejt BE-së,
shkruan FaktiDitor.info
Këto qëndrime kanë bërë që procesi të hyjë në një rrugë pa krye, ndërsa për vite me radhë nuk
është gjetur një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, e cila do t’i mundësonte Sofjes të hiqte
pengesat ndaj avancimit të procesit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Ndërmjetësimi i BE-së
Qëndrimet e fuqishme, herë nacionaliste e më shumë populiste, të qeverisë aktuale duket se
gradualisht po i lënë rrugë pragmatizmit politik dhe arsyeshmërisë që duhet të karakterizojë
vendimmarrjen e udhëheqësve politikë në Shkup. Duket se politikanët tanë kanë arritur në një
pikë ku është bërë e qartë se pa një qasje më pragmatike është shumë e vështirë të gjendet një
zgjidhje për kontestin me Bullgarinë.
Kjo “pjekuri” politike duket se është reflektuar edhe në kërkesën e kryeministrit të vendit që, në
negociatat për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, të përfshihet edhe Bashkimi Evropian si
ndërmjetësues. Përfshirja e BE-së mund ta lehtësojë procesin dhe të ndikojë pozitivisht në
negociatat ndërmjet dy vendeve.
Një rol më aktiv i Brukselit do t’u jepte bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Sofjes një seriozitet
dhe profil më të lartë politik. Përfshirja e drejtpërdrejtë e institucioneve evropiane mund të
krijojë një kornizë më të përshtatshme për dialog dhe të ndihmojë që të dyja palët të afrohen drejt
kompromisit të nevojshëm, i cili do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut të avancojë në procesin
e negociatave me Bashkimin Evropian.
Brukseli ka dëshmuar në raste të ndryshme se mund të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin
e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve. Për këtë arsye, përfshirja e BE-së në këtë proces mund të
shërbejë jo vetëm si mekanizëm ndërmjetësimi, por edhe si garanci politike për zbatimin e një
marrëveshjeje eventuale.
Megjithatë, përfshirja e Brukselit nuk do të mjaftonte vetvetiu. Në fund, zgjidhja do të kërkonte
vullnet politik nga të dyja palët, kompromis dhe një qasje që do të shmangte shndërrimin e
historisë dhe çështjeve identitare në pengesa të përhershme mes dy vedeve, shkruan
FaktiDitor.info
Kjo mund të jetë një nga mundësitë e fundit për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për
kontestin me fqinjin tonë lindor. Mungesa e një objektivi të qartë politik dhe ngecja e
vazhdueshme në procesin e integrimit evropian po ndikojnë gjithnjë e më shumë negativisht
edhe në zhvillimet e brendshme të vendit, qoftë në aspektin ekonomik, etnik apo demografik.
Prandaj, zgjidhja e kontestit me Bullgarinë nuk duhet parë vetëm si një çështje e marrëdhënieve
bilaterale ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Ajo tashmë është shndërruar në një çështje strategjike për
të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Nëse qëllimi strategjik i vendit mbetet integrimi në
Bashkimin Evropian, atëherë kërkimi i një kompromisi të qëndrueshëm dhe i një mekanizmi të
besueshëm për zbatimin e tij duhet të jetë pjesë e një qasjeje më pragmatike dhe afatgjatë të
politikës së jashtme.
Në këtë kuadër, përfshirja e Bashkimit Evropian mund të jetë pikërisht mekanizmi që do t’u
mundësonte të dyja palëve të kapërcejnë mosbesimin dhe të dalin nga një ngërç që prej vitesh po
mban peng jo vetëm marrëdhëniet maqedono-bullgare, por edhe perspektivën evropiane të
Maqedonisë së Veriut./FaktiDitor.info
