Shoqata e Gjyqtarëve të Maqedonisë: Vrasja e gjyqtarit në Shqipëri, sulm i rëndë ndaj gjyqësorit

Shoqata e Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut reagon me keqardhje të thellë dhe ngushëllime të sinqerta për ngjarjen tragjike që ndodhi në Republikën e Shqipërisë, ku një gjyqtar u qëllua për vdekje gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare.

Nga atje thonë se ky akt përfaqëson një sulm serioz ndaj pavarësisë dhe dinjitetit të detyrës gjyqësore dhe është një kujtesë se gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre lirisht, profesionalisht dhe pa frikë për sigurinë e tyre personale.

“Sundimi i ligjit është i mundur vetëm kur gjyqësori është i mbrojtur nga çdo presion ose kërcënim. Shoqata u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse dhe palëve të interesuara në shoqëri që të kontribuojnë në ruajtjen e dinjitetit dhe sigurisë së profesionit gjyqësor.