Maqedonia në aspektin teknik është e përgatitur për operacionet e shpëtimit në zona malore por çalon mbështetja institucionale dhe legjislacioni
“Tek ne në shtet, operacionet e shpëtimit malor nuk janë rregulluar dhe së dyti, mbetemi prapa në mbështetjen që marrim nga institucionet shtetërore. Nuk e di çfarë duhet të ndodhë që të vetëdijesohemi dhe më në fund të ulemi e t’i zgjidhim problemet në mënyrë sistematike. I kemi vullnetarët, kemi njerëz të trajnuar mirë, kemi kapacitet, jemi anëtarë të organizatave ndërkombëtare, por institucionet shtetërore nuk arrijnë ta shohin këtë dhe ta shfrytëzojnë si mundësi.” – Antonio Dodeski – kryetar i Unionit Kombëtar për Shpëtim Malor.
Ndërsa Sllovenia vetëm gjatë vitit 2025 ka pasur më shumë se 300 fluturime me helikopter në aksione shpëtimi, Kroacia ndan 8 milionë euro buxhet vjetor për nevojat e shërbimit të saj malor të shpëtimit ndërkaq shpëtimtarët në Maqedoni përballen mungesa elementare.
“Ne nuk mund të sigurojmë helikopter. Vitin e kaluar kishim një rast kur kolegët nga Kosova na telefonuan se kishte ndodhur një aksident në Malin Sharr, në territorin e Maqedonisë; një shtetase italiane kishte mbetur e lënduar në terren shumë të vështirë për qasje. Kur kërkuam helikopter, nuk mundëm ta marrim. Vetëm pas 3-4 orësh vonesë, kur ambasada italiane bëri presion, u dërgua helikopteri. Kjo nuk është sistematike. Kemi mangësi serioze në sistem.” – Antonio Dodeski – kryetar i Unionit Kombëtar për Shpëtim Malor.
12 organizata janë pjesë e Unionit Kombëtar për Shpëtim Malor me më shumë se 250 vullnetarë, të gatshëm për të vepruar dhe ndihmuar, por ata kanë nevojë urgjente për pajisje elementare. Vetëm shërbimi i shpëtimit malor në Ohër ka pasur dhjetëra raste shpëtimi gjatë këtij dimri, mes tyre edhe 4 aksidente më serioze për nxjerrjen e njerëzve dhe alpinistëve. Mesatarja vjetore është rreth 35 intervenime. /Alsat.mk
The post Shpëtimet malore në Maqedoni të Veriut mbeten peng i mungesës së mbështetjes shtetërore appeared first on Alsat.
