Hetimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut, nisi edhe prej kallëzimit të tij. Por kreu i grupit parlamentar të Partisë Sociliste, Gazment Bardhi, nuk do të jetë në seancën plenare të 12 marsit, kur do të hidhen në votë 2 raportet mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë.

Sekretariati i Etikës e përjashtoi me 10 ditë nga seancat dhe komisionet parlamentare. Në seancën ku do hidhet në votim raporti i PD pro arrestimit dhe ai i PS-së që refuzon SPAK-un, do të mungojë edhe Klevis Balliu për të cilin socialistët kishin kërkuar 20 ditë përjashtim por sekretariati vendosi për 10 ditë.

Vendimet lidhen me përplasjet mes deputetëve në seancën plenare të 5 marsit, pasi kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, iu adresua me numrin 0900 deputetes demokrate Albana Vokshi. Një situatë kjo që nxiti reagimin e shefit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili nga ana e tij kaloi deri në prekje të moralit të grave socialiste. Por ai që e nisi sherrin shpëtoi. Socialistët falën shefin e grupit të tyre Taulant Ballën për të cilin demokratët kërkuan plotë 60 ditë përjashtim. “Nuk mund të barazohet një prefiks telefoni me gjuhën dhe sjelljen e opozitarëve”, tha Balla.

Nga mbledhja e grupit të PS-së, ishte Evis Kushi, e cila propozoi miratimin e një rezolute të Partive Popullore Evropiane aleate të PD-së për të ndaluar gjuhën denigruese në kuvend. Seancës së 12 marsit do t’i mungojë një tjetër zë kritik ndaj ish-ministres së Infrastrukturës, Agron Shehaj, i cili ka kërkuar disa herë interpelanca me të. Këtë të hënë Byroja e Kuvendit, la në fuqi vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin me 20 ditë. Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, përbehet nga 3 socialistë më në krye Ulsi Manja dhe dy deputetë të opozitës ndërsa vendimet merret me shumicën e votave. Prej së enjtes së kaluar sherri që degradoi në ofendime dhe gjuhë të papërshtatshme ka dominuar debatit publik në vend.

The post Shqipëri / Fyerjet në Kuvend, 10 ditë përjashtim për Bardhin dhe Balliun, mungon edhe Shehaj appeared first on Alsat.