Qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur prej orëve të para të pasdites në sheshin “Skënderbej”, ku pritet të nisë në orën 17:00 protesta në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së në duar, protestues nga të gjitha trevat shqiptare, kryesisht nga Kosova, kanë mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar tubimit të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, me moton “Liria ka emër”.

Në këtë protestë pritet të mbajnë fjalë personalitete të rëndësishme politike dhe historike, si ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. I pranishëm do të jetë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ndërsa pjesëmarrja e Lutfi Hazirit nga LDK është gjithashtu e konfirmuar.

Ndërkohë, Euronews Albania do të jetë LIVE nga sheshi “Skënderbej” me katër gazetarë në terren Sara Demushi, Esmeralda Mulaj, Ardit Hoxha dhe Kosove Gjoci për të sjellë atmosferën, zhvillimet dhe zërat nga protesta, minutë pas minute.

Për shkak të pjesëmarrjes së madhe dhe organizimit logjistik, autoritetet kanë njoftuar bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në segmentin e Bulevardit të Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, kohë gjatë së cilës protestuesit do të parkohen në këtë zonë./euronews

The post Shqipëri-Kosovë bëhen një, protestë për UÇK, mijëra shqiptarë në Tiranë appeared first on Alsat.