
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, si dhe Moldavia, si vende kandidate për anëtarësim në BE, nënshkruan sot marrëveshje dypalëshe me Greqinë, Bullgarinë dhe Italinë për bashkëpunim doganor që synojnë përshpejtimin e lëvizjes së mallrave në pikat kufitare midis tyre, shkruan dtt-net.com, transmeton zhurnal.mk.
Marrëveshjet për korsitë e shpejta midis vendeve u nënshkruan sot në Bruksel në prani të Komisioneres së BE-së përgjegjëse për zgjerimin e bllokut evropian, Marta Kos.
“Memorandumet, të cilat janë pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Moldavinë dhe iniciativës së Korsive të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, të udhëhequra nga Komuniteti i Transportit dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), synojnë të zvogëlojnë kohën e pritjes në pikat kufitare dhe të lehtësojnë lëvizjen e mallrave”, tha Komisioni Evropian (KE) në një njoftim për shtyp.
“Tre marrëveshjet e reja bazohen në memorandumet dypalëshe ekzistuese që janë tashmë në fuqi në kufijtë e tjerë midis partnerëve në rajon. Dispozitat mbi shkëmbimin e të dhënave doganore midis vendeve të BE-së dhe vendeve jo-anëtare të BE-së mund të vihen në fuqi vetëm kur të krijohet kuadri i nevojshëm ligjor i BE-së dhe Reforma Doganore e BE-së të jetë në fuqi”, shpjegoi KE.
BE-ja ka vënë në dispozicion 54 milionë euro për të investuar në 11 pika kalimi kufitar prioritar duke siguruar tranzit më të lehtë të mallrave midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare të BE-së.
“Ky është një hap konkret në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së, siç parashikohet në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor të miratuar në vitin 2023”, tha KE.
Nga 6 miliardë euro të fondit të Planit të Rritjes, BE-ja ka caktuar 922 milionë euro për Shqipërinë; 1.085 miliardë euro për BiH, 882 milionë euro për Kosovën; 383.5 milionë euro për Malin e Zi; 750.4 milionë euro për Maqedoninë e Veriut dhe 1,586.4 miliardë euro për Serbinë.
Për shkak të vonesave në dorëzimin e axhendës së reformave, qeveria e BiH humbi 108.4 milionë euro nga shuma fillestare e ndarë.
Fondi i ri i BE-së prej 6 miliardë eurosh për rajonin është në formën e granteve dhe kredive.
Plani i Rritjes synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE, sipas KE-së.
