Federata e Futbollit e Shqipërisë do të duhet të paguajë shumën e 26 mijë e 875 eurove, për shkak të incidenteve që ndodhën në duelin Gjeorgjia – Shqipëria muajin e kaluar.

Shqipëria fitoi 1:0 në stadiumin “Mikheil Meskhi” në muajin tetor, në ndeshjen e Grupit B1.

Shqipëria u gjobit për shkak të hedhjeve të sendeve në fushë nga tifozët “kuqezi” dhe për transmetimin e mesazheve josportive, bëjnë të ditur nga FSHF.

Në vlerën prej 6875 eurove, Shqipëria u gjobit për hedhjen e sendeve, ndërsa për shkak të transmetimit të mesazheve josportive, Shqipëria do të duhet të paguajë edhe 20 mijë euro tjera.

“Federata e Futbollit i fton tifozët të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, pozitive dhe të tregojnë qytetari dhe respekt përmes një sjelljeje korrekte ndaj ekipit kundërshtar për të shmangur çdo lloj problematike që mund të dëmtojë ekipin”, ka shkruar FSHF-ja në njoftim.

Kujojmë se dy ndeshjet e fundit Kombëtarja Shqiptare e drejtuar nga Sylvinho do t’i zhvillojë në “Air Albania” në Tiranë, ndaj Çekisë dhe Ukrainës.