Shqipëria ka mbetur “duarthatë” nga përballja me Anglinë, ndonëse u mbajt deri në minutën e 74-t.
Të dielën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë pësuan 2:0 nga Anglia. Të dy golat për mysafirët i shënoi ylli Harry Kane.
Kapiteni anglez shënoi për 1:0 në minutën e 74-t. Ishte i vëmendshëm në afërsi të portës, pas topit të devijuar nga një goditje nga këndi. Në minutën e 82-të Kane shënoi me goditje nga zona, pas asistimit të Marcus Rashfordit.
Shqipëria megjithatë nuk ishte inferiore në fushë. Krijoi raste të mira si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Por pa konkretizuar.
Elseid Hysaj, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami e Berat Gjimshit kishin raste të mira për kuqezinjtë. Por Anglia mbeti e pamposhtur.
Anglia më herët e kishte siguruar vendin e parë në Grupin K dhe kualifikimin në Botëror.
Fitorja e së dielës ishte e teta nga po aq ndeshje për “Tre Luanët”. Të përzgjedhurit e Thomas Tuchelit i kanë shënuar plot 22 gola, ndërsa nuk e kanë pësuar asnjë. Pra kanë pasur kampanjë gati të përkryer kualifikuese.
Shqipëria e përfundon fazën e rregullt të kualifikimeve në vendin e dytë në grup me 14 pikë. Për herë të parë do të paraqitet në plejof për kualifikim në Botëror. Shorti i plejofit do të tërhiqet të enjten, ndërsa ndeshjet e plejofit zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.
Shqipëria e ka fituar betejën me Serbinë për vendin e dytë në grupin të cilin prej fillimit është pritur se do të fitohet nga Anglia.
Serbia përfundoi me 13 pikë. Letonia përfundon kualifikimet në vendin e katërt me pesë pikë, ndërsa Andorra renditet e fundit me vetëm një pikë.
Shqipëria e siguroi plejofin tri ditë më parë me fitoren në Andorrë. Ndërkohë fitorja vendimtare ishte ajo ndaj Serbisë në Leskovc, muajin e kaluar.

