Qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori, qytetarët që jetojnë brenda vendit dhe ata të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

Në zgjedhjet e 11-ta parlamentare që prej vitit 1991, të drejtën e votës sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj do të votojnë për herë të parë.

Gjithashtu, edhe 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.

Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve u krye nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.