Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në Maqedoninë e Veriut kërkojnë ndërprerjen e konferencave dhe aktiviteteve promovuese të institucioneve gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Ato theksojnë se këtë vit në vend janë regjistruar shtatë femicide dhe kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa konkrete, në vend të deklaratave dhe aktiviteteve simbolike.

Mes kërkesave kryesore janë miratimi urgjent i ndryshimeve ligjore, sigurimi i së paku 200 milionë denarëve në buxhetin e vitit 2027 për mbrojtjen e viktimave, si dhe përcaktimi i përgjegjësisë institucionale për rastet e femicideve.

Organizatat kërkojnë gjithashtu hetim të pavarur për lëshimet institucionale, përfshirë rastin e 17-vjeçares nga Bogdanci. Ato mbështesin protestën e paralajmëruar për 25 nëntor nga iniciativa “Asnjë më shumë” dhe kërkojnë që deri më 10 dhjetor institucionet të dëshmojnë me rezultate konkrete se çfarë kanë ndërmarrë për mbrojtjen e grave.