Ukraina akuzoi Hungarinë të premten se ka “marrë peng” shtatë punonjës të bankës së saj shtetërore të kursimeve, të cilët mbanin rreth 82 milionë dollarë në para të gatshme dhe ar.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha (Andri Sibiha) tha se punonjësit e Oschadbank (Oshadbank) ishin duke transportuar para nga Austria përsëri në Ukrainë nëpërmjet Hungarisë kur u ndaluan dhe vendndodhja e tyre aktualisht nuk dihet.

Autoriteti tatimor i Hungarisë konfirmoi arrestimin e shtatë shtetasve ukrainas dhe dy automjete transporti parash me dyshimin për pastrim parash.

Sipas këtij autoriteti, po zhvillohen procedura penale dhe një nga anëtarët e grupit ishte një ish-gjeneral i shërbimit të inteligjencës së Ukrainës.

Ukraina ka dërguar një notë zyrtare duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të saj dhe do t’i kërkojë Bashkimit Evropian t’i japë reagimin e duhur veprimeve të paligjshme të Hungarisë.

Sipas bankës shtetërore të kursimeve të Ukrainës punonjësit ishin në dy furgonë që transportonin para në dorë me vlerë 80 milionë dollarë dhe 9 kg ar në një transport të rregullt midis Austrisë dhe Ukrainës

Kiev dhe Budapesti janë përfshirë në një mosmarrëveshje gjithnjë e më të ashpër për shkak të një ndërprerjeje të tubacionit Druzhba që furnizon me naftë ruse Hungarinë dhe Sllovakinë.

Hungaria dhe Sllovakia akuzojnë Ukrainën se po vonon qëllimisht rifillimin e rrjedhave të naftës përmes tubacionit të dëmtuar Druzhba për arsye politike. Kievi e mohon akuzën, duke thënë se i duhet kohë për të riparuar dëmet e shkaktuara në infrastrukturën energjetike nga një sulm me dron rus më 27 janar.

The post Shtatë punonjës të Bankës së Kievit ndalohen në Hungari appeared first on Alsat.