Një shtetas amerikan dhe një shtetas francez, të cilët janë kthyer në vendet e tyre të origjinës pasi kanë lënë një anije turistike të goditur nga një shpërthim vdekjeprurës i hantavirusit, kanë rezultuar pozitivë, thonë autoritetet.
Departamenti amerikan i Shëndetësisë njoftoi se edhe një shtetas i dytë amerikan në fluturimin e riatdhesimit kishte shfaqur simptoma të lehta, duke shtuar se të dy pasagjerët ishin kthyer në “njësi biokontrolli”, si masë paraprake sigurie.
Ministrja franceze e Shëndetësisë Stéphanie Rist tha se një grua ishte e izoluar në Paris dhe shëndeti i saj po përkeqësohej, me 22 raste kontakti të gjurmuara.
Më shumë se 90 pasagjerë të anijes MV Hondius, aktualisht e ankoruar në Ishujt Kanarie të Spanjës, po riatdhesohen.
Tre pasagjerë, një çift holandez dhe një grua gjermane kanë vdekur pasi udhëtuan në anije. Dy prej tyre janë konfirmuar se e kanë pasur virusin.
Hantaviruset zakonisht barten nga brejtësit, por transmetimi njerëzor i llojit të Andeve, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) beson se është kontraktuar nga disa nga pasagjerët e anijes holandeze ndërsa ishin në Amerikën e Jugut, është i mundur.
Simptomat mund të përfshijnë ethe, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, dhimbje stomaku, të vjella, diarre dhe gulçim.
Zyrtarët thonë se rreziku i një shpërthimi të madh është shumë i ulët.
Në deklaratën e tij herët të hënën, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha se të gjithë 17 qytetarët amerikanë në fluturim do “i nënshtrohen vlerësimit klinik” në një strukturë mjekësore në Nebraska.
Shtatë pasagjerë të tjerë amerikanë ishin kthyer tashmë dhe po monitorohen në shtetet e tyre të origjinës.
Një shtetas britanik që banon në SHBA u evakuua së bashku me 17 pasagjerët amerikanë.
Para se të konfirmohej rasti amerikan, kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se vendimi i SHBA-së për të mos ndjekur udhëzimet e organizatës së tij mbi shpërthimin e hantavirusit “mund të ketë rreziqe”.
OBSH ka rekomanduar 42 ditë izolim për ata që largohen nga MV Hondius.
Por Dr. Jay Bhattacharya, kreu në detyrë i Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), tha se nuk donte të shkaktonte panik publik, duke këmbëngulur se transmetimi nga njeriu te njeriu ishte i rrallë dhe nuk duhet të trajtohet si virusi Covid.
Pasagjerët e anijeve turistike u fotografuan të veshur me uniforma blu, kapele të gjera dhe maska mjekësore ndërsa zbarkuan të dielën në portin e Grandilla de Abona në Tenerife. Në bordin e anijes lundronin pesë shtetas francezë.
Të dielën, një aeroplan që mbante 20 shtetas britanikë mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar.
Pasagjerët fluturuan për në Aeroportin e Mançesterit me një fluturim çarter nga Tenerife dhe u dërguan në Spitalin Arroëe Park në Ëirral, Merseyside, për t’u izoluar për 72 orë. Asnjëri prej tyre nuk ka raportuar simptoma.
Dy shtetas të tjerë britanikë me raste të konfirmuara tani po trajtohen në Holandë dhe Afrikën e Jugut.
Në Spanjë, 14 spanjollë që fluturuan për në Madrid tani përballen me karantinë të detyrueshme në një spital ushtarak. Dy fluturime të tjera evakuimi janë planifikuar për të hënën pasdite.
Një fluturim i veçantë me 26 pasagjerë dhe ekuipazh, përfshirë tetë shtetas holandezë, mbërriti në Holandë të dielën.
Gjashtë pasagjerë po kthehen në Australi dhe 18 të tjerë do të fluturojnë për në Holandë. Të dy aeroplanët po marrin gjithashtu pasagjerë nga vende të tjera që nuk dërguan fluturimet e tyre të riatdhesimit.
Ukraina tha se katër nga qytetarët e saj do të mbeten në bordin e MV Hondius si pjesë e ekuipazhit për të siguruar transferimin e anijes në Holandë. Pas mbërritjes, tha ministria e jashtme, ata pritet të karantinohen në një strukturë mjekësore.
Një tjetër shtetas ukrainas pritej të largohej nga anija si pjesë e evakuimit të pjesshëm të ekuipazhit në një fluturim për në Holandë.
Aktualisht, nuk janë regjistruar shenja sëmundjeje midis ukrainasve, shtoi ministria.
Një burrë i moshuar holandez ishte pasagjeri i parë që vdiq në bordin e MV Hondius më 11 prill. Ai kishte zhvilluar simptoma më parë, por konsiderohet një rast i mundshëm pasi nuk janë kryer teste.
Gruaja e tij, një grua 69-vjeçare u largua nga anija në ishullin e Shën Helenës më 24 prill dhe fluturoi për në Afrikën e Jugut. Ajo vdiq dy ditë më vonë në një klinikë në Johanesburg. Një grua gjermane vdiq në bordin e anijes turistike më 2 maj. Të dyja gratë janë raste të konfirmuara.
MV Hondius u nis nga qyteti jugor i Ushuaias në Argjentinë më 1 prill dhe aktualisht është i ankoruar në portin e Grandilla, në jug të Tenerife-s.
