
„Dimri kaloi, ndërsa grupet e rrezikuara të qytetarëve ende nuk i kanë marrë kondicionerët inverterë nga thirrja publike për subvencionim e Ministrisë së Energjetikës, që u publikua para gati katër muajsh.“
Në televizionin Alsat kanë mbërritur shumë reagime nga qytetarë, të cilët thonë se, edhe pse kanë aplikuar para një periudhe të gjatë, ende nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Energjetikës. Ata theksojnë se dimri tashmë ka kaluar, ndërsa ata ende nuk kanë marrë pajisjen për ngrohje.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjetikës, shpallja për mbështetje të familjeve që hyjnë në kategorinë e konsumatorëve të rrezikuar të energjisë për vitin 2025, përmes dhënies të së drejtës për blerje dhe instalim të një kondicioneri inverter, parashikonte afat për aplikim deri më 5 tetor 2025. Megjithatë, deri më sot nuk janë publikuar rezultatet nëse kondicionerët u janë ndarë familjeve.
Nga dikasteri i energjetikës thonë se vonesat kanë të bëjnë me faktin se Qëllimi është që fondet të arrijnë te qytetarët që kanë më shumë nevojë për to, në përputhje me Metodologjinë e Varfërisë Energjetike. “Lista e personave të kualifikuar për subvencione u përgatit nga komisionet në Ministrinë e Energjisë, ishte e nevojshme verifikimi dhe pajtimi i detajuar shtesë i të dhënave me institucione të tjera kompetente, përfshirë Zyrën e të Ardhurave Publike dhe Ministrinë e Politikës Sociale, të cilat zgjatën kohëzgjatjen e procedures”, njoftuan nga Ministria e Energjetikës.
Nga atje thonë se në këtë thirrje do të ndahen mbi 4,000 kondicionerë. /alsat.mkv
