Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndonëse zgjedhjet lokale tanimë përfunduan, shumica parlamentare për momentin ende nuk i ka hapur diskutimet për rikonstruimin e Qeverisë, temë më e përfolur në periudhën para dhe pas zgjedhjeve lokale. Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve, Qeveria emëroi vetëm Muhamed Hoxhën në vend të Izet Mexhitit dhe Bekim Salin në vend të Orhan Murtezanit. Megjithatë, VLEN-i ka mbetur pa një resor, zv.ministrin e mbrojtjes pasi nga kjo pozitë u pati shkarkuar Elfete Ismaili nga radhët e ASH-së së Taravarit.

Nga koalicioni VLEN për momentin thonë se nuk kanë diskutuar për rikonstruim ndërsa njoftojnë se për pozitën vakante zv.ministër i mbrojtjes, në tryezë kanë një propozim.

“As brenda VLEN-it dhe as me partnerët e koalicionit qeverisës nuk janë hapur temat për këtë çështje. Në lidhje me pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes, është dorëzuar propozim nga zëvendëskryeministri dhe një nga liderët e koalicionit, Arben Fetai. Ky resor ka një specifikë të veçantë dhe, ndryshe nga resorët e tjerë, emërimi kërkon kohë për shkak të procedurave dhe filtrave që duhet t’i kalojë kandidati”, thonë nga VLEN.

Përpos VLEN-it, as në Qeveri për momentin nuk mendohet për rikonstruim. Paralajmërojnë analiza shtesë.

“Ju informojmë se ndryshimet e paralajmëruara në institucionet e Qeverisë do të shqyrtohen pas zbatimit të analizave të nevojshme, pas çka opinioni do të njoftohet me kohë”, thonë nga Qeveria.

Ndonëse flitej se Mickoski është i pakënaqur nga puna e disa prej ministrave në ekzekutiv, i njëjti i pati demantuar këto spekulime. Flitej se mund të bëhet zëvendësimi i Goran Minçevit në Administratë, Igor Fillkovit në Drejtësi por edhe Vesna Janevskës në Arsim. Madje deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski pati deklaruar se po të ishte ai kryeministër, Igor Fillkov nuk do të ishte ministër i drejtësisë./ Alsat.mk

The post Shumica parlamentare pa plane për rikonstruim të Qeverisë, ndryshime minimale në përbërje appeared first on Alsat.