Inspektorët e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve për gjashtë muaj kanë ngelur pa paga dhe pa kompetenca të qarta ligjore. Koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësues të Inspektoratit realizuan takim. Deputetët e partive në pushtet, pas takimit bënë thirrje deri te të gjithë deputetët që të votojnë për miratimin e ndryshimeve të Ligjit që të punësuarit të marrin pagat e prapambetura. Deputeti Bekim Qoku thotë se me këtë Inspektorati do të fuqizohet më shumë.
“Thjesht duhet një vullnet i përbashkët me bandenter ta votojnë shpejt e shpejt edhe t’u kalojnë rrogat këtyre punonjësve. Inspektorati pas kësaj do të fuqizohet edhe më shumë, duke i dhënë edhe të drejtën për gjoba, që nuk e ka pasur deri tani, si i vetmi inspektorat, pra ne pr emtojmë që me kalimin e kësaj do të kemi një inspekorat shumë më të fuqishëm se ai që ekziston në këto momente”, tha Bekim Qoku – Deputeti VLEN.
“Tejkalimi i atij problemi është i thjeshtë dhe i lehtë, nëse sot e vazhdojmë seancën e 47, ku duhet Badenter e deputetëve të pranishëm. Njerëzit do të jenë në gjendje ta kalojnë problemin financiar. E më pas mbi atë që e diskutuam të bisedohet për formim të Agjencisë ku do të hyjnë edhe inspektoratet e gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase”, tha Nikolla Micevski – Deputet i VMRO-DPMNE.
Por me këtë nuk pajtohen përfaqësuesit e partive opozitare. Nga Fronti Europian thonë se qëllimi i ndryshimeve ligjore nuk është që punonjësit të marrin rroga, por të hiqet statusi juridik i Inspektoratit të Gjuhëve, prandaj nuk do të përkrahin ndryshimet.
“Ky inspektorat buron nga Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili është Lex specialis dhe nuk guxon të ketë mazhoranca një qasje të tillë, të thotë se nuk ka rroga, hajde le të marrin rroga dhe u krye biseda, duke ditur tendencat dhe kontestimet që ndodhin dhe prej kujt ndodhin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, theksoi Blerim Bexheti – Deputet i FE-së.
“Pra të mos manipulohen njerëzit se sot ka seancë ku mund të votohet zgjidhja ligjore, zgjidhja ligjore ndodhet në tjetër seancë dhe deri tani ajo zgjidhje ligjore nuk është e vendosur në rend dite për votim. Nëse ka vullnet të mirë, nëse ka mënyrë të ulet të bisedohet dhe të zgjidhet problemi, gjithsesi se mundet”, pohoi Oliver Spasovski – Deputet i LSDM.
Ndërkaq drejtori i Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, Amir Idrizi nuk u deklarua se cila zgjidhje u konvenon por tha se ishte takim i parë dhe vetëm u dëgjuan propozimet.
“Ndonjë ofertë konkrete?
Jo, sepse ishte takimi i parë i këtij lloji, ndërmjet meve dhe grupeve parlamentare, mendoj se ditëve në vijim do të gjejmë një zgjidhje”, tha Arsim Idrizi – Drejtor i Inspektoratit për përdorimin e Gjuhëve.
Ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve ndodhen në Kuvend, ndërsa janë bllokuar për shkak se mazhoranca nuk ka shumicë Badenteri.