
Shkup, 29 tetor – “Sot jemi këtu për të ngritur një sërë pyetjesh serioze, publike dhe thelbësore që kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe transparente nga kryetari në largim i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski. Këto nuk janë vetëm pyetje politike, por edhe morale dhe institucionale nga natyra e tyre, sepse lidhen me besimin që qytetarët ia kanë dhënë, e që duket qartë se është keqpërdorur,” tha sot Marija Miteva nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së.
“Si është e mundur që, brenda një viti kalendarik, kryetari Jakimovski dhe familja e tij të bëhen pronarë të dy parcelave ndërtimore në pjesën më elitare të Karposhit – në Zhdanec – pikërisht aty ku ai vet jeton? Publiku ka të drejtë të dijë nga kanë ardhur dhe me çfarë mjete financiare janë siguruar këto prona në zonën më të shtrenjtë urbane të Shkupit,” theksoi Miteva.
Si është e mundur që parcelat, të cilat sipas Planit të mëparshëm Detajuar Urbanistik ishin të përcaktuara si hapësira të gjelbra, pas blerjes nga familja Jakimovski “magjikisht” të kthehen në tokë ndërtimore – madje me një markicë urbanistike tashmë të vizatuar në plan? – pyeti Miteva.
“A është dorëzuar kërkesë për dokumentacion teknik ndërtimor për këto parcela që nga hapësirë e gjelbër janë kthyer në tokë ndërtimore? Nëse po, kush e ka dorëzuar, kur dhe deri ku ka arritur procedura? Gjithashtu, pyesim nëse është e vërtetë që gjatë vitit të kaluar, përveç parcelave në vend, familja Jakimovski ka blerë edhe një vilë në një nga vendpushimet turistike në Greqi,” shtoi ajo.
“Është koha që këtyre pyetjeve t’u jepen përgjigje. Është koha të përcaktohet nëse në Karposh mbizotëron interesi publik apo ai privat dhe si është e mundur të fitohet aq shumë sa për të blerë të gjitha këto pasuri të paluajtshme,” përfundoi Miteva.

