Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kanë përcjellë urimet e tyre për këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët, transmeton TV21.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një kthesë historike në zhvillimin e kombit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e gjuhës, arsimit dhe kulturës.

Ajo nënvizoi se detyrë e përbashkët është ndërtimi i një shoqërie ku uniteti respekton dallimet dhe i trajton ato si vlera të përhershme.

Ndërkaq, Afrim Gashi theksoi se gjuha shqipe është bartëse e historisë dhe identitetit kombëtar, por edhe urë komunikimi dhe bashkëjetese mes qytetarëve.

Ai vuri në pah rëndësinë e barazisë, respektimit të identitetit gjuhësor e kulturor, përfaqësimit të drejtë dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe nga pika kufitare Qafë Thanë, ku së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, promovuan sistemin e përbashkët kufitar “One Stop Shop”./TV21