Maqedonia nuk duhet të presë me dekada para dyerve të Bashkimit Evropian dhe deklarata e kryeministrit Mickoski është keqinterpretuar. Këtë e theksoi presidentja Gordana Siljanovska Davkova në emisionin Klik Plus në TV21, duke iu referuar deklaratës së fundit të kryeministrit Mickoski, i cili tha se nuk do të ketë lëvizje në lidhje me ndryshimet kushtetuese pa garanci për identitetin maqedonas.
“Duhet të theksoj se kur citohet deklarata e kryeministrit, harrohet se ajo nuk ishte ashtu siç e përsërisim të gjithë, por ishte e lidhur me “nëse”, në raportet me Bullgarinë, dhe ai përmendi disa supozime. Nuk mendoj se kjo do të thotë se duhet të presim me dekada, përkundrazi, ndonjëherë ka lëvizje edhe kur nuk janë para syve të publikut”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – presidente e Maqedonisë së Veriut.
Siljanovska tha se vendi shënon përparim serioz në procesin e eurointegrimit dhe se jemi shumë më të mirë se kandidatët kryesorë për anëtarësim në Union. Ajo përsëriti se në procesin e anëtarësimit më të rëndësishme duhet të jenë kriteret e Kopenhagës.
“Të gjithë flasim për politika të bazuara në fakte, jo në kërkesa irracionale. Kjo tregon se ne jo vetëm që jemi krah për krah me pretendentët kryesorë për anëtarësim të shpejtë në BE, por edhe jemi më të mirë se disa prej tyre”, u shpreh presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova.
Duke rikujtuar kriteret e Kopenhagës, Siljanovska theksoi se në to është e përcaktuar qartë se respektohen identiteti kombëtar dhe kulturor i shteteve dhe popujve. Nuk mundet që këto parime të vlejnë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa të mos vlejnë për shtetet kandidate, theksoi presidentja Siljanovska.
