Sindikata e pavarur e policisë dorëzoi parashtresë kundër Ministrit të Bujqësisë Cvetan Tripunovski në Komision për mbrojtje nga diskriminimi. Ankohen se për një vit sa është në funksion, ministri nuk i ka pranuar në takim dhe se nuk është përgjigjur në asnjë nga kërkesat e tyre si sindikatë.
“Sindikata e policisë nuk është frikësuar deri tani nga presionet e tilla dhe as nuk do të frikësohet dhe prandaj ne sot dorëzuam parashtresë në Komisionin për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi që të vërtetohet ky diskriminim mbi sindikalistët e bujqësisë në këtë periudhë”, u shpreh Martin Efremov – kryetar i Sindikatës së Pavarur të Policisë.
Kryetari i sindikatës së Policisë së pyjeve dhe administratës thotë se është i vetmi që punon pesë ditë të javës nga ora 8 deri në orën 16 dhe këtë e cilëson si presion nga ministri.
“Kur pyeta komandantin se përse pikërisht unë të jem i vetmi në stacion dhe Maqedoni që punoj nga ora 8 deri në 16, më tha se ky është urdhër i drejtpërdrejt nga ministri sepse nuk e kemi respektuar si ministër”, theksoi Nikolla Gagovski – kryetar i Sindikatës së Policisë së Pyejeve.
Por i pari i Bujqësisë, Tripunovski hedh poshtë akuzat. Për TV21 tha se dialogu është në nivel, se kanë pasur takim dhe janë dëgjuar kërkesat e sindikalistëve.
“Është dhënë përgjigje pozitive për kërkesën për takim nga Sindikata e Pavarur e Policisë dhe takimi është mbajtur më 16 maj. Gjatë takimit u shpjeguan të gjitha kërkesat e Sindikatës së Pavarur të Policisë. Problemet me të cilat përballen janë probleme të grumbulluara nga e kaluara, për të cilat atëherë drejtuesit e ministrisë nuk kishin vesh për t’i dëgjuar, ndërsa sot situata është krejtësisht ndryshe”, potencoi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Tripunovksi shtoi më tej se një nga kërkesat e sindikatës ishte njohja e stazhit me benefit për pjesëtarët e policisë së pyjeve, gjë që sipas tij, është pranuar dhe përfunduar plotësisht, por nga ana tjetër kryetari i sindikatës tha se kanë zero stazh me benefit gjatë pagesës së muajit maj.
