Sindikata e Kulturës ka ngritur padi penale kundër ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, për shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave të punonjësve. Sipas kryetares së sindikatës Vera Atanasovska, ministri me udhëzime të dërguara me e-mail ka tentuar të minojë të drejtat e punonjësve dhe marrëveshjet kolektive. Ata theksojnë se mbi 800 padi janë ngritur nga punonjësit e kulturës dhe se ka edhe vendime gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre. Sindikata paralajmëroi gjithashtu kallëzime penale ndaj drejtorëve të institucioneve kulturore.

“Ministri që deri dje ishte pjesë e luftës sindikale për të drejtat e punëtorëve, sot është simbol i shkeljes së tyre. Ministri Lutkov bëri diçka që në një shtet të drejtë nuk duhej të bëhej. Me udhëzime të dërguara me e-mail dhe me një udhëzim që e përpiloi dhe e nënshkroi vetë, ai u përpoq të minojë të drejtat e të punësuarve në kulturë dhe të zhvlerësojë marrëveshjet kolektive. Një udhëzim apo e-mail nuk është ligj, dhe një ministër nuk është mbi ligjin”, tha Vera Atanasovska, Kryetare e Sindikatës së Kulturës.

Ministri Zoran Lutkov akuzat e sindikatës i quajti të pabaza, pasi siç thotë, është në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Publik, dhe punonjësit në sektorin e kulturës kanë gjithashtu një marrëveshje kolektive sektoriale në të cilën përcaktohet llogaritja e pagave, teksa shton se sindikata po kërkon që llogaritja e pagave të bëhet në mënyre joligjore.

“Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive parashikonte një rritje prej 10% të pagave në sektorin publik nga shtatori i vitit 2023. Në këtë kuptim, për hir të harmonizimit nga Ministria e Kulturës, u ofrua një aneks i marrëveshjes kolektive, të cilin sindikata e refuzoi. Sot në një konferencë për shtyp dëgjuam se një gjë e tillë nuk ishte ofruar. E kam dokumentin këtu me vete. Pra, tani sindikata po padit për llogaritjen e pagave në një mënyrë që i bën të punësuarit në sektorin kulturor të kenë një pagë minimale më të lartë për llogaritjen e pagës sesa paga minimale e publikuar në përputhje me ligjin në vend”. u shpreh Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turizmit.

Sipas ministrit, në vitin 2025 paga minimale në sektorin publik në vend për llogaritjen e pagës bazë bruto ishte 36,037 denarë, dhe kërkesa e sindikatës së kulturës ishte që llogaritja e pagës bazë bruto të bëhej në shumën prej 39,641 denarë, gjë që i vendosë ata në një situatë më të favorshme se të gjithë të tjerët në sektorin publik dhe që është në kundërshtim me pagën minimale të publikuar në përputhje me ligjin.