Gazetare: Melihate Rustemi
Sindikata e Pavarur Akademike i ka kërkuar Qeverisë të tërheqë propozim-ligjet për Arsimin e Lartë dhe Shkencën, të cilat pritet të dorëzohen së shpejti. Sipas profesorëve, këto ndryshime nuk rrisin cilësinë, por zyrtarizojnë kontrollin politik mbi universitetet dhe largojnë shkencëtarët e rinj nga vendi. Akademikët e pavarur thonë se vërejtjet e tyre u injoruan tërësisht. Sipas sindikatës, shteti po vendos kritere absurde për avancimin në tituj, duke kërkuar standarde më të larta se në Kroaci e Slloveni, por pa ofruar asnjë financim për shkencën.
“Kushtet e propozuara janë të papërshtatshme dhe të paarritshme për shkencëtarët e rinj. Në vend të cilësisë, ky hap do të ketë një efekt fatal: humbjen e plotë të kuadrit të ri në universitetet tona.”, thanë nga Sindikata e Pavarur e Akademikëve.
- Kushtet e propozuara janë të papërshtatshme
- Në vend të cilësisë, efekt fatal
Sindikata akuzon se Ministria e Financave kërkon të mbajë nën kontroll edhe donacionet apo fondet që universitetet sigurojnë nga projektet ndërkombëtare, ndërsa punësimet do të mbeten sërish në dorë të arbitraritetit të ministrave.
“Ekzekutivi do të ketë fuqinë të shuajë apo të shkrijë universitete pa pëlqimin e tyre. Kjo nuk është reformë, por një ndërhyrje brutale politike në autonominë universitare.”, theksuan nga Sindikata e Pavarur e Akademikëve.
- Qeveria do të ketë fuqinë të shuajë apo të shkrijë universitete
- Ndërhyrje brutale në autonominë universitare
Sindikata Akademike kërkon që Ministria e Arsimit të ndalë procedurën dhe të rihapë dialogun, duke propozuar krijimin e një Fondi të Pavarur për Shkencën. Pas akuzave të Sindikatës së Pavarur Akademike, ka reaguar Ministria e Arsimit. Përmes një komunikate, MASH thotë se ligjet e reja janë produkt i një debati të gjerë publik dhe se një pjesë e madhe e vërejtjeve të profesorëve janë përfshirë në tekstin përfundimtar. Ministria pohon se ka pasur takime me të gjitha universitetet dhe Akademinë, ndërsa ligjet kanë qenë të qasshme për komente në sistemin ENER. MASH thotë se ka reduktuar numrin e punimeve të kërkuara për gradat shkencore dhe ka pranuar bazën Scopus si relevante për pikëzim në shkencat shoqërore.
Sipas dikasterit të Arsimit, është zvogëluar prania e përfaqësuesve të Qeverisë në Këshillat e Universiteteve për të garantuar pavarësinë./Alsat.mk.
The post Sindikata e Pavarur Akademike kërkon tërheqjen e Ligjit të Arsimit të Lartë appeared first on Alsat.
