Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore dhe Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore të Maqedonisë kërkojnë zgjidhjen e problemit të mosshlyerjes së shtesave të pagave për rreth dy mijë punonjës gjyqësor. Ata kërkojnë gjithashtu rritjen e buxhetit për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe plotësimin urgjent të vendeve të lira të punës, pasi mungesa e stafit po i detyron shumë punonjës të mbulojnë detyrat e tre ose katër kolegëve të tjerë.

“Sot nga kryetari i Këshillit Gjyqësor është kërkuar që të paguaj shtesat e pagave për çdo muaj, më pas pagesa e pushimeve vjetore, llogaritja e pagës sipas koeficientit të Marrëveshjes Kolektive në sektorin publik, pjesëmarrje e anëtarit tonë nga sindikata e pavarur në vendimmarrje në këshillin e buxhetit gjyqësor, miratimin e projekt rregullores për shtesat e pagave, shumën e tyre dhe metodën e përcaktimit për punonjësit gjyqësor”, tha Goran Risteski, kryetar i sindikatës së pavarur administrative shtetërore.

Sindikatat kërkojnë miratimin e një Ligji të ri për punonjësit gjyqësorë dhe harmonizimin e pagave të tyre me pagat e gjykatësve. Në të kundërtën, paralajmërojnë grevë në të gjitha gjykatat e vendit.

“Gjithashtu kërkojmë që paga e punonjësve gjyqësor të ndërlidhet me pagën e gjykatësve, pra të lidhemi me 60 deri në 70 për qind të pagave të gjykatësve, pra kur të kenë rritje gjykatësit të rriten edhe pagat e punonjësve gjyqësor përndryshe do të detyrohemi të mbajmë grevë në të gjitha gjykatat në të gjithë Maqedoninë”, deklaroi Jasmina Veliçkovska, nga Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore.

Sindikata ngre alarmin se në Gjykatën Penale ka 84 gjykatës, por vetëm 30 daktilografë, gjë që i detyron këta të fundit të punojnë për nga tre-katër gjykatës, ndonëse sipas rregullores çdo gjykatës duhet të ketë daktilografin e vet. /Alsat.mk

The post Sindikatat e Administratës Shtetërore dhe asaj gjyqësore kërcënojnë me grevë appeared first on Alsat.