Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore dhe Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore të Maqedonisë kërkojnë zgjidhjen e problemit të mosshlyerjes së shtesave të pagave për rreth dy mijë punonjës gjyqësor. Ata kërkojnë gjithashtu rritjen e buxhetit për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe plotësimin urgjent të vendeve të lira të punës, pasi mungesa e stafit po i detyron shumë punonjës të mbulojnë detyrat e tre ose katër kolegëve të tjerë.
“Sot nga kryetari i Këshillit Gjyqësor është kërkuar që të paguaj shtesat e pagave për çdo muaj, më pas pagesa e pushimeve vjetore, llogaritja e pagës sipas koeficientit të Marrëveshjes Kolektive në sektorin publik, pjesëmarrje e anëtarit tonë nga sindikata e pavarur në vendimmarrje në këshillin e buxhetit gjyqësor, miratimin e projekt rregullores për shtesat e pagave, shumën e tyre dhe metodën e përcaktimit për punonjësit gjyqësor” , tha Goran Risteski, Kryetar i sindikatës së pavarur administrative shtetërore.
Sindikatat kërkojnë miratimin e një Ligji të ri për punonjësit gjyqësorë dhe harmonizimin e pagave të tyre me pagat e gjykatësve. Në të kundërtën, paralajmërojnë grevë në të gjitha gjykatat e vendit.
“Gjithashtu kërkojmë që paga e punonjësve gjyqësor të ndërlidhet me pagën e gjykatësve, pra të lidhemi me 60 deri në 70 për qind të pagave të gjykatësve, pra kur të kenë rritje gjykatësit të rriten edhe pagat e punonjësve gjyqësor përndryshe do të detyrohemi të mbajmë grevë në të gjitha gjykatat në të gjithë Maqedoninë”, tha Jasmina Veliçkovska, nga Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski tha se i mirëkupton kërkesat e Sindikatave, por për shlyerjen e borxhit duhet të vendosë Ministra e Financave.
“Kishim takim konstruktiv në të cilin i dhamë mbështetje në kërkesat e tyre, i kuptojmë problemet e tyre, shumica e anëtarëve siç e dini vijmë nga gjykatat dhe e dimë saktësisht se çka punojnë punonjësit gjyqësor dhe në çfarë presioni për momentin funksionojnë në të gjithë shtetin sidomos në pjesën më të madhe të gjykatave që nuk janë në Shkup”, u shpreh Aleksandar Kambovski.
Sindikata ngre alarmin se në Gjykatën Penale ka 84 gjykatës, por vetëm 30 daktilografë, gjë që i detyron këta të fundit të punojnë për nga tre-katër gjykatës, ndonëse sipas rregullores çdo gjykatës duhet të ketë daktilografin e vet. /Alsat.mk
The post Sindikatat kërcënojnë me grevë nëse nuk zgjidhet problemi me mos shlyerjen e shtesave të pagave appeared first on Alsat.
