Dialog për kontestin dhe veton nga Bullgaria ka dhe ka pasur disa muaj, pohon ministri për punë të jashtme, Timço Mucunski. Siç thotë, së bashku me kryeministrin Mickoski janë plotësisht të angazhuar për prezantimin e tezave të tyre për zhbllokimin e rrugës eurointegruese para liderëve të vendeve anëtare të BE-së. Mucunski thotë se duhet të ketë rrugë të qartë nga liderët e BE-së dhe partnerët strategjikë se si po zhvillohen negociatat, përkatësisht çfarë duhet të bëjë Maqedonia, e çka BE-ja.

“A është ky lëshimi i fundit që pritet nga ne. A jemi të sigurt se nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese më tej nuk do të jemi lëndë e vetos së re potenciale përsëri e krijuar në bazë të çështjeve dypalëshe. Unë personalisht jam i bindur se jo vetëm i gjithë establishmenti politik, por të gjithë qytetarët e këtij shteti nuk kanë më kapacitet për lëshime të reja dypalëshe. Në 30 vjet këto lëshime janë të shumta”, tha Timço Mucunski, minister për Punë të Jashtme.

I pyetur nëse Franca dhe Gjermania po punojnë në të ashtuquajturën zgjidhje kreative me garanci për zhbllokim të rrugës eurointegruese, ambasadori i BE-së në vend Mihalis Rokas, u përgjigj se për momentin ekzistojnë shumë aktivitete diplomatike për këtë çështje. Sipas Rokasit procesi i zgjerimit është prioritet kryesor edhe i udhëheqjes së re të Unionit.

“Në këtë moment lidershipi i ri po bën shumë përpjekje për të përshpejtuar vendin dhe ne si delegacion i BE-së jemi këtu që të ndihmojmë që të zbatohen të gjithë reformat e patjetërsueshme që të arrijmë deri në fund, të shkojmë më shpejtë dhe ta shfrytëzojmë momentin e mundësive. Andaj, çfarëdolloj, të them, mbështetje ose përpjekje e caktuar diplomatike për të vazhduar përpara sa më shpejtë që është e mundur, është e mirëseardhur”, u shpreh Mihallis Rokas, shef i Misionit të BE-së.

Përndryshe të martën Mickoski dhe Mucunski do të shkojnë në Bruksel ku do të qëndrojnë deri të enjten. Kryeministri thotë se porositë nga Brukseli nuk janë mjaft të qarta dhe ka përshtypjen se Maqedonia por edhe Ballkani Perëndimor për momentin nuk janë në fokus të BE-së.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë vlera europiane do ta kryejmë detyrën e shtëpisë, nëse janë të gatshëm të gjejmë zgjidhje konstruktive dhe të vazhdojmë, në rregull, në çdo kohë jemi të gatshëm pozitivisht të përgjigjemi për kërkesën e tillë, në të kundërtën mund të përfundoj se ne si shtet, Ballkani, për fat të keq nuk jemi në fokus të kësaj administrate të Brukselit”, tha kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski.

Mickoski shtoi se po zbatohen reformat sipas agjendës së BE-së, duke shtuar se Maqedonia është peng i politikanëve që ende kanë ngecur në mesjetë, duke aluduar për politikanët e Bullgarisë.