Sistemi “Qytet i Sigurt”, që është në fazë testimi para se të fillojë zbatimin më 1 janar ose shkurt, aktualisht nuk jep mundësinë të futen numra targash që do të përjashtoheshin nga gjenerimi i gjobave për shkelje. Çdo mjet që regjistrohet se shkel ligjet dhe rregullat e trafikut do të marrë njoftimin për gjobë përkatëse. Por kjo do të ndryshojë në të ardhmen, kur targat e mjeteve me përparësi kalimi, si ambulanca, zjarrfikësit dhe mjetet e policisë, do të futen në sistem dhe për to nuk do të procesohen gjoba. Megjithatë, në sistem do të ketë prova se mjetet me ato targa kanë shkelur rregullat e trafikut.

“Në të ardhmen, sipas dispozitave të Ligjit për sigurinë në trafikun rrugor, mjetet me përparësi kalimi do të regjistrohen në sistem dhe për to regjistrimet nuk do të fshihen. Ato do të ruhen në log menaxhim”, theksoi Maja Arsovska-Manov, kryeshefe e Sektorit për punë të trafikut.

Por, kjo hap pyetjen për mundësitë e abuzimit me këtë opsion. Domethënë, punonjësit që kanë qasje në sistem, sipas urdhrit të dikujt ose me vetiniciativë, mund të fusin targa që nuk janë të mjeteve me përparësi kalimi, domethënë të politikanëve, personave me ndikim, por edhe të miqve dhe shokëve të tyre. Nga MPB premtojnë se do të ketë mekanizma kontrolli.

“Këto janë reformat që aktualisht janë në fuqi, mbi të cilat punohet. Megjithatë, megjithatë Ministri i Brendshëm do të vendosë se cilat dhe në çfarë mënyre do të bëhet kontrolli. Dhe kontroll, sigurisht që do të ketë”, u shpreh Maja Arsovska-Manov, kryeshefe e Sektorit për punë të trafikut.

Ndryshe, një nga reagimet më të mëdha në rrjetet sociale rreth sistemit “Qytet i Sigurt” është mungesa e infrastrukturës rrugore, sidomos e ashtuquajtura “Valë e Gjelbër”. Kjo nënkupton që semaforët të koordinohen në mënyrë që drita e gjelbër të aktivizohet radhazi, duke krijuar një “valë” sinjalesh jeshile për mjetet që lëvizin me shpejtësi të rekomanduar, shpesh nga 40 deri 50 kilometra në orë në kushte urbane. Kjo zvogëlon ngarkesën, kursen karburant dhe përmirëson qarkullimin në rrugët kryesore. Nga Komuna e Shkupit, në të cilën është përgjegjësia për vendosjen e këtij sistemi, për TV21 thonë se:

QYTETI I SHKUPIT – VALË E GJELBËR:

-Qendra e Trafikut pranë rrugëve dhe rrugicave aktualisht po punon në zgjidhje për ri-vendosjen e ashtuquajturit ‘Valë e Gjelbër’ në Shkup, i cili do të përfshijë rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Pritet zgjidhje së shpejti.

Në Shkup, opsioni me “Valën e Gjelbër” ekzistonte para dhjetë vjetësh, por më pas ndaloi së funksionuari.