Për ndërprerjen e vazhdueshme të energjisë elektrike në lagjen Serovë të Çairit kanë reaguar nga BDI dega e Çairit. Theksojnë se kjo situatë që po ndodh në Serovë është e papranueshme, siç shtojnë cënohet dinjiteti dhe siguria bazë e qytetarëve.
Reagimi i plotë i BDI-Çair.
Bashkimi Demokratik për Integrim- Dega Çair shpreh shqetësim lidhur me situatën e papranueshme në lagjen Serovë, në Komunën e Çairit, ku qytetarët po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, duke mbetur pa dritë dhe pa ngrohje në ditët më të ftohta të dimrit.
Në kushte kur acari është kryefjala e përditshmërisë, familje të tëra, përfshirë fëmijë, të moshuar dhe persona të sëmurë, janë lënë në mëshirë të fatit. Heshtja e autoriteteve është alarmante: Komuna e Çairit nuk reagon, Qeveria nuk jep përgjigje, ndërsa EVN, si institucion përgjegjës, vazhdon të shmangë përgjegjësinë e saj ndaj qytetarëve.
BDI- Dega Çair dënon fuqishëm këtë heshtje institucionale dhe këtë neglizhencë të rrezikshme që cenon dinjitetin dhe sigurinë bazë të qytetarëve.
Është e papranueshme që në vitin 2025 qytetarët e një zone urbane të mbesin pa shërbime elementare, ndërsa institucionet përgjegjëse të mbyllin sytë.
BDI qëndron fuqishëm në krah të qytetarëve të Serovës, të cilët, të detyruar nga mosreagimi institucional, kanë protestuar si shprehje e revoltës së tyre të drejtë. Protesta e qytetarëve është pasojë direkte e dështimit të institucioneve për të kryer detyrën e tyre.
LEXO:
