Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka miratuar gjithsej 69 vendime në seancën e tij të 33-të, pas shqyrtimit të një sërë rastesh që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit nga funksionarë publikë.
Sipas KSHPK-së, numri më i madh i rasteve kanë të bëjnë me këshilltarë komunalë, kryetarë komunash, drejtorë shkollash e kopshtesh, drejtues të ndërmarrjeve publike, dekanë fakultetesh dhe deputetë, ndaj të cilëve janë hapur procedura pas denoncimeve anonime ose me iniciativë të vetë Komisionit.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr rasti i noterëve. Pas një denoncimi të paraqitur për 14 noterë në Kumanovë, KSHPK konstatoi se vetëm dy prej tyre kishin përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore. Për këtë arsye, Komisioni do t’i drejtohet Odës së Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë me kërkesë që të gjithë noterët të respektojnë detyrimet ligjore për transparencë financiare.
Në rastet ku është vërtetuar mosdorëzimi i deklaratave të pasurisë, janë shqiptuar urdhërpagesa kundërvajtëse. Pas pagesës së gjobës dhe dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar, procedurat mbyllen sipas ligjit.
Gjatë seancës u shqyrtua edhe një rast i konfliktit të interesit që lidhet me një rektor universiteti, për të cilin KSHPK konstatoi se kishte marrë pjesë në vendimmarrje për një projekt ku partner ishte edhe një institut privat në të cilin ai kishte interes pronësor. Sipas Komisionit, rektori nuk ishte vetëpërjashtuar nga procesi vendimmarrës, duke krijuar situatë konflikti interesi. Për këtë shkelje është shqiptuar gjobë në përputhje me ligjin.
Ndërkohë, për një prorektor të të njëjtit universitet, KSHPK nuk gjeti prova të mjaftueshme për të vërtetuar konflikt interesi dhe procedura ndaj tij u ndërpre.
Komisioni shqyrtoi edhe disa denoncime për korrupsion të mundshëm në institucione shtetërore dhe kompani private, por ato u mbyllën për shkak të mungesës së provave konkrete ose mungesës së kompetencës së KSHPK-së për të vepruar në raste të tilla.
