Gjashtë persona janë arrestuar në Greqi, nën dyshimin se ishin pjesë e një organizate kriminale që përmes një organizate joqeveritare (OJQ) mblidhte donacione për fëmijët me sëmundje të rënda, por pjesën më të madhe të parave e përvetësonte, përcjell TV21. Përfitimi i paligjshëm financiar vlerësohet në mbi 2.8 milionë euro. Një pjesë e parave dyshohet se është përdorur edhe për trukimin e ndeshjeve të futbollit dhe financimin e klubeve sportive.
Sipas policisë greke, hetimi nisi pas një denoncimi lidhur me transparencën e funksionimit të OJQ-së, e cila ishte aktive që nga viti 2018. Operacioni për shkatërrimin e organizatës kriminale u zhvillua të premten në disa pjesë të vendit.
Nga hetimet rezultoi se organizata kishte mbledhur gjithsej 3.940.692 euro donacione, ndërsa familjeve të 34 fëmijëve përfitues u kishte ndarë vetëm rreth 1.111.176 euro. Diferenca prej 2.829.516 eurosh dyshohet se është përvetësuar në mënyrë të paligjshme.
Anëtarët e organizatës publikonin në rrjetet sociale fotografi dhe informacione për fëmijët, kryesisht të prekur nga forma të ndryshme të kancerit, duke kërkuar ndihmë financiare për ndërhyrje mjekësore, trajtim spitalor, transport dhe akomodim. Mes donatorëve kishte edhe artistë, sportistë dhe biznesmenë të njohur, kontributet e të cilëve publikoheshin për të rritur besimin dhe për të tërhequr më shumë donacione.
Hetimet zbuluan se në disa raste organizata kishte organizuar disa fushata për të njëjtin fëmijë, pa informuar donatorët për mbledhjet e mëparshme. Gjithashtu, kishte paraqitur shpenzime mjekësore që tashmë mbuloheshin nga fondet e sigurimeve, si dhe kosto shumë më të larta se ato reale.
Policia bëri të ditur se nga viti 2018 deri në vitin 2026, në llogaritë e organizatës dhe në llogarinë personale të njërit prej të arrestuarve janë derdhur mbi 5.8 milionë euro. Ende nuk është përcaktuar shuma e përgjithshme e parave të mbledhura në të holla përmes aktiviteteve dhe kutive të donacioneve.
Organizata kriminale kishte funksionuar përmes dy nëngrupeve. I pari merrej me mbledhjen dhe përvetësimin e donacioneve, ndërsa i dyti, i formuar në shtator të këtij viti, merrej me trukimin e ndeshjeve të futbollit në kategorinë e katërt greke.
Qëllimi ishte që një klub futbolli amator të ngjitej në kategorinë e tretë, si dhe të siguroheshin fitime të paligjshme përmes basteve në ndeshje të trukuara. Aktivitetet e këtij grupi financoheshin me paratë e përvetësuara nga donacionet.
